Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u mbajt ecje paqësore e organizuar nga fëmijët për të ngritur zërin e tyre për ambientin, raporton Ekonomia Online.
Trina Hoti, kryetare e Forumit të Fëmijëve, tha se të gjitha këto shkrime në pankartat e tyre janë ato të cilat njerëzimi ia ka shkaktuar tokës.
“Sot jemi mbledhur për një çështje madhore që i përket tokës, planetit, shtëpisë që ne jetojmë. Të gjitha këto pankarta janë mesazhe të cilat njerëzimi ja ka shkaktuar tokës. Po ashtu është një nismë që troket e që gjendet në Kosovë ne si fëmijë të Kosovës duam të ngrisim zërin para qeverisë së Kosovës. Paramendojeni çka bënë gjithë ky tym, këto mbeturina. Ne nuk duam që të kemi termocentrale as mbeturina, nëse i lëmë rrobat jashtë oborrit ato do bëhen të zeza për shkak të ajrit, duam gjelbërim dhe duam që bashkërisht ta duam vendin tonë”, tha Hoti.
Ermira Mulaku, nxënëse nga shkolla fillore “Naim Frashëri”, i bëri ftesë Qeverisë që ata t’i adresohen vendit për ruajtjen e mjedisit.
“Prishtina ka hyrë në top 10 vendet më të ndotura globale. Ky ajër që po ekspozohemi e dëmton shëndetin tonë dhe të gjithë njerëzit. Po ashtu është njëra nga problemet që bota ballafaqohet dhe arsyeja kryesore që jemi mbledh këtu është të kërkojmë që shoqëria dhe shteti jonë t’i adresohet vendit tonë sepse e ardhmja jonë është shumë e rëndësishme”, tha Mulaku, raporton EO.
Elita Kabashi, përfaqësuese nga organizata “Save the Children”, tha se kjo është një nismë që është organizuar nga një 16-vjeçare.
“Kam ardhur në cilësinë e prindit, ne i mbështesim fuqishëm fëmijët, mundohemi që ta ngrisim kapacitetin e tyre për të ardhmen e tyre. Kjo është një nismë që ka filluar me një 16-vjeçare. Ky është vetëm një fillim shpresojmë të kemi nisma më të mira për një planet më të shëndosh”, tha Kabashi.