Kriza globale e shkaktuar nga COVID-19 po i thellon pabarazitë që kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, duke ekspozuar shkallën e përjashtimit dhe duke vënë në pah se puna për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara është e domosdoshme. Fëmijët me aftësi të kufizuara janë një nga grupet më të përjashtuara në shoqërinë tonë dhe janë ndër më të prekurit në këtë krizë për sa i përket fataliteteve.
Përhapja e COVID-19 ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre në Kosovë. Ndikimi afatgjatë në shërbimet sociale që edhe ashtu kanë qenë të dobëta dhe në përgjithësi në shoqëri mbetet për t’u vlerësuar në tërësi. Rreth 345,000 fëmijë në nivelet parashkollore, fillore dhe të mesme nuk e kanë vijuar mësimin në shkolla gjatë bllokimit, duke rezultuar kështu në një numër të fëmijëve që nuk mund ta ndjekin shkollimin për shkak të mungesës së teknologjive ndihmëse. Sipas të dhënave të vitit 2020, vetëm 53 përqind e familjeve në Kosovë posedojnë kompjuter ose tablet.
Si reagim ndaj kësaj situate, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar midis Ambasadës Britanike dhe Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për një seri ndërhyrjesh të integruara dhe gjithëpërfshirëse shëndetësore dhe arsimore, UNICEF-i do t’i dhurojë 800 tabletë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do ta mbështesë emërimin e 35 asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në fushën e arsimit, projekti do të ofrojë mbështetje në aspektin e sigurisë së shkollave duke monitoruar respektimin e rekomandimeve për parandalim të COVID-19 në shkolla dhe duke ofruar mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta ose ata që janë në rrezik të braktisjes së shkollës. Një fokus i veçantë i projektit do të jetë tek gratë dhe vajzat e reja. Megjithëse fëmijët nuk janë grupi më i prekur i kësaj pandemie pasi që kryesisht janë kursyer nga efektet direkte klinike të COVID-19, kriza pandemike ka një efekt të madh në jetën dhe mirëqenien e tyre.
Z. Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë thekson: “Është rritur hendeku i të mësuarit midis fëmijëve nga familjet më të pasura që ishin në gjendje të vazhdonin mësimin në distancë përmes mjeteve digjitale dhe atyre nga familjet më të varfra që filluan të mbesin prapa në mësime. Përkundër veprimeve të shpejta me mësimin në distancë, provat sugjerojnë se humbja në të nxënit për Kosovën do të jetë e pashmangshme dhe e konsiderueshme me c’rast një pjesë e madhe e nxënësve do të bien në analfabetizëm funksional dhe do të ketë rritje të niveleve të braktisjes së shkollës. Në këtë aspekt, shqetësim specifik përbëjnë fëmijët me nevoja të veçanta.”
Edhe në rrethana normale, personat me aftësi të kufizuara ka më pak të ngjarë të kenë qasje në kujdes shëndetësor, arsim, punësim dhe të marrin pjesë në komunitet. Kërkohet një qasje e integruar për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të mos lihen anash.
Ambasadori Britanik në Kosovë Nicholas Abbott tha: “Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ne jemi bërë bashkë për t’i rritur përpjekjet tona për të punuar drejt arsimit gjithëpërfshirës përmes programit tonë të financuar nga MB për ta përmirësuar jetën e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për ta ndryshuar jetën e atyre që janë ndër më të rrezikuarit në botë, për t’i dhënë fund diskriminimit dhe stigmës kundër personave me aftësi të kufizuara dhe për të punuar drejt një bote më të përparuar, duke mos lënë askënd anash. “
Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Kosovës – Znj. Vjosa Osmani theksoi që përfshirja e personave me aftësi të kufizuara duhet të jetë pjesë e agjendës sonë ditore për t’u siguruar që ata të gëzojnë të drejta të plota dhe të bëhen anëtarë të barabartë dhe produktiv të shoqërisë sonë. Ne kemi dështuar të ofrojmë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara dhe ky është momenti i fundit që fjalët t’i kthejmë në veprime.
Z. Ramë Likaj, Minister i Arsimit theksoj mbështetjen e tij rreth përfshirjes se fëmijëve me aftësi te kufizuara qe te gëzojnë te drejtën e tyre ne arsim.
Avokuesi i UNICEF-it për të Drejtat e Fëmijëve, Rijad Mehmeti, i cili ishte i pranishëm në ngjarje, bëri thirrje për ngritje të vëmendjes dhe investimeve të institucioneve për të siguruar qasje dhe shërbime gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
I hartuar në konsultim me zyrtarët përkatës në ministrinë e shëndetësisë dhe arsimit, projekti prej 2.5 milion dollarësh me titull Kthimi në Normalen (e Re) në Kosovë: Forcimi i qëndrueshmërisë përmes një kthimi të sigurt dhe gjithëpërfshirës të normalitetit në shëndetësi dhe arsim gjatë COVID-19 është zbatuar nga UNFPA, UNICEF-i, UN Women dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.