Dukagjin Pupovci: Mësimi online duhet të jetë opsioni i fundit

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, thuhet në njoftim.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka biseduar me Dukagjin Pupovcin, njohës i çështjeve të arsimit, për paralajmërimin e bërë nga Qeveria në detyrë.

Ai thotë se mësimi online nuk është zëvendësimi adekuat për mësimin në klasë.

“Nuk jam i sigurt se janë krijuar kushtet që mësimi online të zhvillohet pa pengesa. Duket se kjo çështje i është lënë shkollave dhe këtu mund të shfaqen vështirësi. Përsëri do të ketë humbje mësimore sepse shkollat nuk kanë bërë përgatitje të veçanta për mësim online. Do të ketë çrregullime në përcjelljen e nxënëseve, në kontrollimin e detyrave të shtëpisë, në vlerësim. Prandaj, mësimi online duhet të jetë opsioni i fundit, kur nuk mbetet asnjë tjetër. Epidemiologët duhet ta thonë nëse vërtetë nuk ka zgjidhje të tjera, ndërsa mua, si laik për këtë fushe nuk po me duket se situata është e pa menaxhueshme”, ka thënë Pupovci për Reporteri.net.

Ai më tej tha se nga mësimi online prej 11 marsit deri në fund të vitit 2020-tës kanë humbur deri në 40% të vitit shkollor.

“Në pranverën e kaluar kemi pasur mësim online prej 11 marsit deri në fund të vitit. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore nxënësit e vendeve ballkanike që kanë ndjekur mësimin online kanë humbur 25% të vitit shkollor, ndërsa ata që nuk e kanë ndjekur kanë humbur 40% të vitit shkollor, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për mediat ka deklaruar se janë kundër mësimit online, por se do të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme