Fakulteti i Edukimit ka mbajtur tryezën e diskutimit kushtuar Draft-dokumentit të Kurrikulës së edukimit në fëmijërinë e hershme për moshën 0-5 vjeç, raporton Ekonomia Online.
Majlinda Gjelaj, prodekane për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit në UP, tha se të gjitha programet e edukimit janë rishikuar dhe si model kanë marrë programin e Sllovenisë sepse ky model iu përshtatet më së miri kontekstit social-ekonomik kosovar.
“Fakulteti i Edukimit përgatit kuadro të edukimit parashkollorë dhe si përvojë e kësaj ne kemi përcjellë dokumentet ligjore nga MAShT që t’i përshtatemi politikave shtetërore dhe programet të jenë të njëjta me nivel përkatës të MAShT”, tha Gjelaj.
“Korrikula duhet të jetë më praktike dhe të jetë më e shfrytëzueshme nga edukatorët dhe më e zbatueshme sepse si dokument i tillë është teorik dhe i ngarkuar me materiale që mungojnë disa gjera thelbësore dhe këto dokumente e kanë devijuar qëllimin dhe përmbajtjen e korrikulës së vërtetë”, shtoi Gjelaj.
Arlinda Beka, këshilltare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), tha se të gjitha rekomandimet që do të nxirren nga ky debat i sotëm do të përcjellën drejtpërdrejt tek ministri dhe më pas të rishqyrtohet mundësia për korrikulë me metoda më praktike për fëmijërinë e hershme.
Ismajl Kurteshi nga Komisioni për Arsim tha se si problem në institucionet e arsimit në Kosovë është se shpesh herë vendi ynë ka marrë korrikula dhe programe arsimore nga vendet e ndryshme që shpesh herë këto kanë qenë të papërshtatshme me kushtet arsimore në Kosovë.
“Shpresoj qe do dali një korrikulë që u përshtatet kushteve tona dhe ne si arsim në përgjithësi në Kosovë gabimi më i madh që është bërë është se ne shpesh edhe ose jemi marrë me reforma dje korrikula më tepër i kemi kopjuar të huajt dhe shpesh këto nuk na u përshtaten kushteve tona”, tha Kurteshi.
Po ashtu sipas Kurteshit ka shumë çerdhe të fëmijëve të cilat janë në numër të madh të palicensuara dhe nuk inspektohen që të kontrollohet për mënyrën se si punohet me fëmijët në këto institucione.
“Ne si Komision i Arsimit në muajin shkurt kemi organizuar një debat brenda Kuvendit të Kosovës dhe në fund kemi nxjerrë rekomandime që pastaj i kemi përcjellë tek ministri i arsimit dhe ato rekomandime shpresoj që do nxisin ministrin që të marrin hapa të duhur për çështjen e shkollave deri në moshën 6 vjeçare të mbështeten dhe t’i jepen më shumë buxhet”.
“…në informatat që ne kemi marrë përqindja e pjesëmarrjes në arsim parashkollorë është e vogël dhe problemi në vete janë çerdhet private një numër i madh i tyre janë të pa licensuara dhe është brengosëse se një pjesë e madhe e këtyre çerdheve nuk dihet çka bëhet në to se a zbatohet ndonjë program apo korrikulë apo është vetëm strehim për fëmijët”, shtoi Kurteshi.
Ndërsa, Teuta Haxhija anëtare e Komisionit për Arsim tha se vetë prezenca e anëtarëve të komisionit në këtë tryezë tregon më së miri se sa janë të përkushtuar për një arsim me cilësorë në Kosovë dhe me korrikula më të mira.
“Çerdhet i konsideroj si biznes privat për mua dhe bazën e kemi në fakultetin e edukimit nëse duam të nxjerrim mësimdhënës të mirë sepse nëse kemi mësimdhënës të mirë atëherë kemi edhe fëmijë të mirë”, shtoi Haxhijaj.
Haxhijaj shtoi se është më mirë që edukatorët në institucione parashkollore të jenë të gjinisë femërore pasi që edukatorja femër ia jep ndjesinë e nënës dhe kjo u ndihmon fëmijëve të përshtaten më mirë pasi që ata u përkasin një moshe të hershme të jetës.