Femra dhe ushqim i shtrenjtë: Misteri i trenit të Kim Jong-un

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Diktatorët i duan trenat e tyre personalë. Hitleri kishte ‘Amerikën’, një bishë të blinduar të pajisur me armë kundër-ajrore, të cilin e përdorte si seli qendrore përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Musolini dhe Stalini përdornin vagonët luksozë kur bënin udhëtime të gjata.

Kuptohet që edhe një nga despotët e fundit të modës së vjetër në botë duhet të udhëtojë me versionin unik të simbolit tiranik: i cili mund të ofrojë një të dhënë thelbësore për vendndodhjen e autokratit- dhe për mundësinë që të ketë ndërruar jetë.

Kim Jong-un, ‘Lideri Brilant’ i Koresë së Veriut, ka një tren me ngjyrë kaki- të armatosur kaq rëndë sa ka nevojë për dy motorrë që ta tërheqë teksa lëviz me 50 km/orë në rrjetin hekurudhor rrangallë.

Kur ky mjet pompoz transporti u shfaq në stacionin privat që i shërben pallatit pranë resortit bregdetar të Wonsan këtë javë, u bë menjëherë fokus i satelitëve spiunë amerikanë që po kërkojnë prova nëse ai është gjallë apo jo.

Thashethemet se Kim ka vdekur kanë qarkulluar që prej 15 prillit, kur ai nuk mori pjesë në festimet për ditëlindjen e gjyshit, diktatorit të parë komunist të Koresë, Kim Il-sung.

Ka pasur raportime se obezi Kim, i fiksuar pa duhanit, ka ndërruar jetë pas një operacioni urgjent në zemër.

Derisa të zgjidhet misteri, lëvizjet e trenit do të gjurmohen në mënyrë intensive nga Uashingtoni dhe Seuli. Meqë është i madh dhe i avashtë, ai nuk është vështirë që të pikaset nga hapësira.

Me rreth 20 vagona, treni ka një sallë pritjeje me një divan lëkurë ngjyrë korale, një sallë moderne konferencash me ngjyrë të bardhë, një zyrë të pajisur me TV satelitor dhe një hapësirë gatimi për të ofruar kuzhinën më të mirë.

Karavidhe të freskëta, verë e vjetër e cilësisë më të mirë dhe ‘drejtueset’ femra janë një kombinim perfekt për shëtitjen diktatoriale.

Të tjera kënaqësi më pak të shijshme në bord mund të jenë të disponueshme për sundimtarin e bastionit të fundit të komunizmit stalinist në botë.

Mendohet se Kim, që është martuar me një këngëtare gjashtë vjet më të re se ai, ka ringjallur praktikën e babait të tij të ndjerë, Kim Jong-il, në përdorimin e të ashtuquajturës ‘Brigada e Kënaqësisë’- vajza të reja që detyrohen të ofrojnë seks dhe argëtim për të dhe ‘lakenjtë’ e tij.

Lideri Suprem i këtij vendi të varfër hipën në trenin e tij të dashur me një tapet të kuq. Pasi navigon në kompjuterat e tij Apple MacBooks dhe ndoshta firmos ndonjë dënim me vdekje, ai ulet për drekë duke përdorur shkopinj argjendi.

Verërat më të mira nga Bordoja shoqërojnë një përzgjedhje me pjata elegante.

Dinastia e pamëshirshme e Kim ka sunduar mbi zinë e bukës që ka kushtuar miliona jetë njerëzish dhe mbikëqyr një rrjet me burgje dhe kampe, ku të burgosurit e uritur- përfshirë fëmijë- luftojnë për të siguruar drithin e përditshëm të mbuluar me jashtëqitje kafshësh dhe të ngrënë nga minjtë dhe insektet.

Lideri i tyre i lavdishëm ndërkohë shijon shampanjën Cristal, konjakun Hennessy dhe djathin zviceran- një fiksim nga koha kur ishte në shkollë në Zvicër, i maskuar si djali i një punonjësi ambasade.

Treni po ashtu ka brenda edhe makinën e tij Mercedes, shoqëruar me të tjera mjete të blinduara ku është vendosur edhe banjoja e tij personale e lëvizshme. Ndryshe nga Stalini dhe babai i tij, që kishin frikë nga fluturimi, 36-vjeçari duket i lumtur të përdorë avionët kur është e nevojshme, përfshi këtu avionin personal, një Ilyushin rus me emrin Chammae-1 sipas një lloj fajkoi.

Ai është fotografuar duke drejtuar një avion më të vogël.

Ai e ka përdorur trenin për të vizituar Rusinë, Kinën dhe Vietnamin, si dhe një rrjet me pallate dhe qendra komandoje në vend, disa prej të cilave ndodhen nën tokë.

Gjatë këtyre udhëtimeve të gjata, Kim zbaton masa sigurie të perfeksionuara nga Hitleri. Linjat zbrazen nga trafiku dhe informacioni për destinacionin e trenit është i kufizuar vetëm për disa zyrtarë.

Dy trena të tjerë rojë, të mbushur me truproja, një përpara dhe një pas- sigurojnë që rruga është e pastër dhe e sigurt. Helikopterët fluturojnë duke ofruar mburojë nga ajri për trenin që udhëton kryesisht drejt 20 stacioneve private që përdoren ekskluzivisht nga Kim.

Sigurisht, treni mund të përdoret si mashtrim për rastet e emergjencave, me Liderin Brilant që përdor metoda të tjera transporti për të shpëtuar nga tentativat e vrasjes ose nga sulmet ushtarake.

Ai njihet për pushimet që bën për të tymosur ndonjë cigare. E ka bërë këtë kur udhëtoi në Kinë për të takuar presidentin Trump, por edhe kur ishte në kryeqytetin e Vietnamit.

Ai u filmua në shkurt të vitit të shkuar duke hedhur hirin në një tavëll kristali që mbahej nga motra e tij, Kim Yo-jong- kryekëshilltare dhe pretendente kryesore për ta zëvendësuar.

Kim Jong-un, që është martuar me Ri Sol-ju në vitin 2009, ka vazhduar stilin e shfrenuar të babait, duke urdhëruar formimin e Brigadës së tij të Kënaqësisë.

Pasi fillimisht e braktisi rekrutimin e vajzave adoleshente për lojëra seksuale kur erdhi në pushtet në vitin 2012, ai mendohet se e riktheu atë në fund të periudhës trevjeçare të zisë së detyrueshme pas vdekjes së babait.

Duke filluar që nga viti 2015, fiksimi i tij për rekrutim ishin femrat e gjata dhe të bukura, që ekzaminohen nga mjekët për të parë nëse janë akoma të virgjra.

Nëse pranohen, atyre u jepen 1400 sterlina- një shumë e madhe në Korenë e Veriut- përpara se të bëhen pjesë e grupit të njohur si Gippeumjo. Prindërit informohen se vajzat e tyre po merren për t’i shërbyer udhëheqësit të vendit në një ‘mision qeveritar’.

Një pasqyrë e rrallë e jetës në këtë ‘pallat’ lëvizës është ofruar në mënyrë tronditëse nga zyrtari rus, Konstantin Pulikovsky, që shoqëroi Kim Jong-il gjatë vizitës njëmujore në Rusi në vitin 2001, që përfundoi me një takim me Vladimir Putin.

Mesa duket, monstra e vjetër, që në vitet ’90 i devijoi dërgesat me ushqim, që synonin të shmangnin zinë e bukës në Korenë e Veruit te besnikët e tij në ushtri dhe parti, nuk pëlqen asgjë më shumë se të këndojë këngë të vjetra sovjetike me katër këngëtare të reja, të cilat i përshkruan si ‘konduktoret’.

“Ishte e mundur që të porosisje ushqim kinez, rus, korean, japonez apo francez,” shkruan Pulikovsky, që thotë se mikpritësi i tij ishte i fiksuar pas ushqimit dhe pijeve. Teksa treni udhëtonte në Siberi, karavidhet e gjalla dërgoheshin rregullisht nëpër stacione, me një kosto të jashtëzakonshme.

Ministrat e qeverisë, që futeshin në zyrë, përkuleshin deri poshtë dhe qëndronin ashtu derisa të mos kishte një shenjë të dukshme nga komandanti se mund të drejtonin shpinën.

Pavarësisht se është mbresëlënës, treni është një objektiv i dukshëm dhe i ngadaltë. Në vitin 2004, kur u përplasën dy trena të ngarkuar me materiale të djegshme, Kim Jong-il nuk u shqetësua për 160 personat që humbën jetën.

Shqetësimi i tij ishte se mos ishte një përpjekje për të sulmuar trenin e tij, që kishte kaluar aty dy orë më parë.

Por edhe mbrojtja e të gjithë botës nuk e shpëtoi Kim Jong-il nga dobësitë e tij njerëzore.

Ai vdiq nga një atak kardiak në trenin e tij në dhjetor të vitit 2011.

Nëse Kim Jong-un ka ndërruar jetë për shkak të problemeve në zemër, nuk do jetë një befasi- pasi njësoj si të keqen- e kanë në gjak si familje.

Ndërkohë, treni i tij luksoz shtrihet bosh pranë pallatit të tij- një Orient Express me shkëlqim, që udhëton përmes një toke të zhytur në errësirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme