Ferizaj: Debatohet procesi i përgatitjeve për projektin e Hartës Zonale

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 15:49 | Nga

Komuna e Ferizajt i ka hyrë procesit të hartimit të Hartës Zonale, dokument ky që i jep zgjidhje planifikimit dhe nga i cili dalin planet rregullative të komunës.

Procesi i hartimit të hartës zonale të Komunës së Ferizajt i ka përballur sot në një debat publik qytetarët me drejtuesit e Drejtorisë së Urbanizimit. Këta të fundi fillimisht kanë vënë theksin në atë se harta zonale si dokument me rëndësi derivon nga Plani Zhvillimor Komunal dhe mëton të rregulloi të gjitha aspektet që lidhen me planifikimin. Madje kanë shtuar se nga ky dokument do të dalin edhe planet rregullative dhe se synim kryesor i pushtetit është që të ketë sa më shumë plane rregullative.

I pari i Drejtorisë së Urbanizimit, Lulzim Aliu, fillimisht ka thënë se në këtë proces është më së i nevojshëm pjesëmarrja qytetare ngase bëhet fjalë për një dokument që i prekë direkt interesat e tyre.
“Me vendos për sipërfaqen e komunës është tepër e vështirë, prandaj pres ndihmën tuaj. Ky dokument e ka bazën ligjore dhe se numri i planeve regullative që derivojnë varet nga situatat që mund të paraqiten” ka nënvizuar drejtori Aliu.

Tutje në elaborimin e tij, drejtori Aliu, ka shtuar se aktualisht në komunën e Ferizajt po punohet me Ligjin mbi Ndërtimin. Ka përmendur PZHK-në si dokument strategjik multisektorial, ndërsa ka shtuar se planet rregullative për zonën 1, 2 dhe 8 janë anuluar. Sipas tij, deri në hartimin e hartës zonale, në mungesë të planeve duhet punuar vetëm me këtë ligj që rregullon aspekte që lidhen me ndërtimin.
“Sot po punohet me Ligjin e Ndërtimit dhe Udhëzimin Administrativ për normat teknike. Në mungesë të hartës zonale dhe planeve rregullative këto dokumente i rregullojnë aspektet që lidhen me ndërtimin”, ka shtuar Aliu, teksa ka sjellur elemente që do të jenë bazë e hartës zonale, siç është orientimi i parcelave për zhvillim ekonomik, aspektet demografike , ruajtjes së tokave bujqësore, aspekte mjedisore etj.

Pjesa tjetër e debatit është zhvilluar në forme të bashkëbisedimit me qytetarët. Këta të fundit kanë ngritur shumë çështje me interes duke filluar që nga sheshi i qytetit, ndërtimet e larta, kaosin urban, varrezat, e deri tek interesimet për çështjet që prekin zonat e tyre e që janë të parapara në PZHK. Ndaj këtyre çështjeve shpjegime ka dhëne drejtori Aliu, i cili në fund shtoi se ky është vetëm fillimi i një pune e cila do të vazhdoj në bashkëpunim të ngushtë edhe me qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme