Ferizaj përfiton donacion dy autoambulanca me pajisje mjekësore

Prishtinë | 26 Maj 2018 | 13:55 | Nga

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale Besnik Berisha dhe drejtori i QKM-së, Asllan Bajrami, ka pritur në takim përfaqësuesit e Ekipit të Urgjencave të Spitalit “Interlaken, Frutigen dhe Meiringen” nga Zvicra, me ç’rast është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për dhurimin e dy autoambulancave të tipit FW dhe me pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu falënderoi donatorët nga Zvicra, çiftin Martin e Suzan Hofer për donacionin e dhënë për shëndetësinë ferizajase, duke u shprehur se ndihmesa të tilla janë të rëndësishme për të rritur efikasitetin e punës si dhe shpejtësinë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët ferizajas.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Besnik Berisha përkitazi me këtë donacion është shprehur “Sot jemi këtu për të pranuar një donacion nga Zvicra, dy autoambulanca me të gjitha pajisjet e nevojshme që i përkasin emergjencës. Ato kanë një vlerë shumë të madhe dhe e falënderoj shumë mikun tonë zviceran dhe bashkëqytetarin tonë Sami Bajrami që ka marr iniciativën për këto dy autoambulanca” tha Berisha.

Në anën tjetër, Asllan Bajrami, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj tha se ky donacion është tepër i nevojshëm për pacientët eventual. “Do të hyjnë në funksion edhe të një projekti për avancimin e shërbimit emergjent në Ferizaj. Këto ambulanca shumë shpejt do të jenë në terren dhe do të nisen nga një qendër e thirrjes dhe do të mundësojnë që shumë më shpejt të jenë tek pacienti. Synimet tona janë që Qendra Emergjente Primare në Ferizaj të bëhet edhe me karakter rajonal” tha Bajrami.

Donatori i këtyre dy autoambulancave, Drejtori i Ekipit të Urgjencave në F.M.I, Martin Hofer tha se ndihet i kënaqur me pritjen nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe drejtorët komunal, kurse për dhurimin e dy autoambulancave me pajisje mjekësore u shpreh se janë një dhuratë për banorët e këtij qyteti dhe institucionet shëndetësore për të mundësuar shërbime profesionale dhe reagim të shpejt në rastet emergjente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme