Gjykata Themelore në Ferizaj ka informuar sot se ka dënuar me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë të pandehurin M.I., i akuzuar për shkak të veprës penale në vazhdim “vjedhja”.
“I pandehuri akuzohet se më datat 12, 23 shkurt 2023 dhe 6, 7, 9, 10, 12, 23 mars 2023 si dhe më datë 1 prill 2023 në lokale dhe lagje të ndryshme në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo për persona të tjerë, i merr pasurinë të dëmtuarve, me ç` rast me veprime të tij ka kryer veprën penale në vazhdim vjedhja nga neni 313 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit M.I., me aktvendim të veçantë i caktohet masa e paraburgimit”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Ankesa do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.