Ferizajt i shtohen edhe dy hyrje-dalje në autostradën “Arbën Xhaferi”

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Komunës së Ferizajt, derisa kanë promovuar të arriturat e punës së tyre njëvjeçare, kanë njoftuar se sivjet do të finalizohen punimet në dy hyrje-daljet e reja në autostradën “Arbën Xhaferi”. Ata kanë bërë të ditur se Ministria e Infrastrukturës tashmë ka nisur procedurat e prokurimit për këto projekte.

Ishin bizneset e kësaj komune që prekeshin më së shumti nga pamundësia e qasjes së shpejtë në autostradë, ata që shtruan kërkesën për krijimin e lidhjeve të reja. Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Ferizajt dhe nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, shkruan sot Koha Ditore.

Numri i lidhjeve me autostradë nga ky qytet tash është rritur në katër. E që sipas kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, ato i japin shtytje më të madhe zhvillimit të ekonomisë në këtë komunë.

“Njëra tashmë është pjesë e projektit që është duke u përfunduar me procedura të tenderimit që lidhet nga ura e Bibajt deri në autostradës, dhe dy lidhje të tjera që janë në fazën e finalizimit nga Ministria e Infrastrukturës që kanë të bëjnë me vazhdimin e rrugës “Driton Islami” dhe në Gerlicë. Pra, kjo e bën më të lehtë qasjen e komunitetit të biznesit dhe të qytetarëve tanë dhe i jep një shtytje më shumë zhvillimit dhe ekonomisë vendore”, ka thënë Aliu.

Ndërsa ka folur për investimet e shumta në Komunë, ai ka theksuar se pas ndërrimit të qeverisjes janë përballur me borxhe të trashëguara prej rreth 40 milionë eurosh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme