Fermerët e Ferizajt pajisen me sistemin e ujitjes pikë-pikë

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 13:29 | Nga

Drejtoria komunale e Bujqësisë në Ferizaj ka bërë sot shpërndarjen e sistemit të ujitjes pikë-pikë për 50 përfitues.

Sistemin e ujitjes e përfitoi edhe Feride Ismajli nga fshati Komogllavë, e cila ka të mbjella 20 ari tokë me kulturën e mjedrës.

Ajo tha se këtë kulturë e ka mbjellë falë ndihmës së shoqatës “Gratë e bashkuara” nga fshati Komogllavë, ndërkaq sistemin e ujitjes po e përfiton nga Komuna e Ferizajt.

“Sistemi i ujitjes na ndihmon mjaft shumë sepse edhe ne si gra po arrijmë që të avancohemi dhe po arrijmë që edhe të përfitojmë nga puna që po bëjmë”, ka thënë Avdiu.

Ndërsa drejtoresha e shoqatës “Gratë e bashkuara” nga Komogllava Vjollca Salihu, tha se bashkëpunimi i kësaj organizate me Komunën e Ferizajt është që nga themelimi i kësaj shoqate.

“Kjo është hera e tretë që shoqata jonë përfiton nga Komuna e Ferizajt, dhe për neve kjo do të thotë shumë”, ka thënë Salihu.

Drejtori i Bujqësisë në komunën e Ferizajt, Ismet Vranovci, me këtë rast tha se sistemi i ujitjes për fermerët ferizajas po bëhet në kuadër të subvencionimeve të vazhdueshme që po bën komuna.

“Në javën e ardhshme do të mbajmë një trajnim për të gjithë përfituesit që kanë përfituar sistemin e ujit. Janë 50 përfitues dhe më gëzon shumë fakti se prej tyre janë 17 përfituese femra të cilat krijojnë të ardhura dhe është një projekt jashtëzakonisht i mirë. Ky është një projekt që do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e rendimentit, posaçërisht në ato kulturat e imëta siç është manaferra, mjedra, fasulja dhe kultura të tjera që përfitojnë sistemin e ujitjes”, ka thënë drejtori Vranovci.

U bë e ditur se vlera e këtij projekti kap shumën mbi 60 mijë euro. Gjithashtu u tha se Drejtoria e Bujqësisë se gjatë këtij viti do të bëjë edhe subvencionime të tjera për fermerët e komunës së Ferizajt.

fermeret

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme