Fermerët Kosovarë të Qumështit: Pse po shënjestërohet VITA ku s’u gjet vaj palme?

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth Qumështores VITA, duke kërkuar përgjigje nga ministri përkatës dhe duke kundërshtuar, siç thotë, “propagandën politike”.

“21 milionë litra qumësht në vitin 2025. 9,5 milionë litra vetëm në katër muaj të vitit 2026. Këto janë miliona litra qumësht të prodhuara nga fermerët e Kosovës dhe të dorëzuara në Qumështoren VITA. Sot, kur vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme, ne fermerët kërkojmë përgjigje: ku kanë shkuar gjithë këto miliona litra qumësht dhe pse vazhdon të vihet në shënjestër një qumështore që grumbullon qumështin tonë?”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Fermerët Kosovarë të Qumështit thanë se mënyra se si institucionet e trajtuan këtë situatë i ka dëmtuar mijëra fermerë dhe familje.

“Kënd po e mbroni, Ministër? Me mënyrën se si është trajtuar kjo situatë janë dëmtuar mijëra fermerë dhe familje që varen nga prodhimi i qumështit. Kur goditet një prodhues që grumbullon miliona litra qumësht vendor, goditet drejtpërdrejt fermeri i Kosovës”, thuhet në reagim.

“Në vend të pasigurisë, fermerët kanë nevojë për treg, stabilitet dhe mbështetje përballë presionit të importeve. Ky është qumështi ynë. Kjo është puna jonë. Ne kërkojmë përgjigje dhe përgjegjësi”.

Të ngjashme