Ferreyra ia mohon fitoren Atleticos

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 08:23 | Nga Ekonomia Online

Facundo Ferreyra ka shënuar gol me goditje nga afërsia për t’ia mohuar Atletico Madridit një tjetër fitore në La Ligan spanjolle.

Të hënën mbrëma, Atletico barazoi 2:2 me Celta Vigon në Madrid, në ndeshjen e fundit të xhiros së 22-të. Atletico po shkonte drejt fitores së rëndësishme kur Facundo Ferreyra shfrytëzoi pasimin e Augusto Solarit për të barazuar rezultatin në 2:2, në minutën e 89-të.

Ndeshja ishte shumë e fortë, ndërsa Atletico nuk ia doli të marr fitore për t’u forcuar edhe më tej në krye të tabelës.

Santi Mina shënoi për epërsinë fillestare të Vigos në minutën e 13-të. Më pas shkëlqeu Luis Suarez duke realizuar dy gola për Atletico Madridin.

Për 1:1, Suarez shënoi në minutën e 45-të, ndërsa për 2:1 realizoi menjëherë në minutën e 50-të. Suarez arriti në shifrën e 16 golave. Është golashënuesi më i mirë në kampionat. 

Atletico Madridi udhëheq në tabelë me 51 pikë, ndërsa i ka luajtur 20 ndeshje. Barcelona e Real Madridi i kanë nga 43 pikë dhe nga 21 ndeshje të luajtura.

Celta Vigo renditet e dhjeta me 26 pikë.

Të ngjashme