Feronikeli korri një fitore të madhe ndaj Santa Colomas në finalen e raundit paraeliminator të Championsit. Edhe pse luajtën me 1 lojtar më pak nga minuta e 50-të, kampionët në fuqi të IPKO Superligës së Kosovës dhanë zemrën në fushë, duke fituar të drejtën për të garuar në raundin e parë kualifikues, ku do të kenë përballë skuadrën kampione të Uellsit.
“Treguam një lojë të mirë, çka solli edhe përmbysjen e rezultatit. Kemi treguar zemër, sidomos pas përjashtimit të Yllit, qysh në fillim të pjesës së parë. Ajo që është e rëndësishme, i’a arritëm qëllimit”, – deklaroi trajneri i Niklit, Zekirija Ramadani.
Kualifikimi në raundin e parë, përtej aspektit sportiv, mbush edhe arkat e klubit nga Drenasi. Si kampion i Kosovës, Feronikeli merr 260 mijë euro nga UEFA, 230 mijë i ka përfituar nga kualifikimi në raundin e parë të Championsit dhe 280 mijë do t’i përfitojë nga pjesëmarrja në këtë raund, shkruan supersport.al, transmeton Klan Kosova. Pra, në total, kampionët e Kosovës i kanë siguruar 770 mijë euro, shifër që do të rritet nëse arrijnë të eliminojnë edhe kundërshtarët nga Uellsi, TNS.