Fabrika e “Ferronikelit” në Drenas, e cila disa muaj më parë e kishte ndërprerë punën në përpunimin e nikelit, javën që e lëmë pas i është rikthyer funksionimit.
Këtë e ka bërë të ditur për “Gazeta Blic”, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj kompanie, Fehmi Nika.
Ai ka thënë se të gjithë punëtorët janë rikthyer në punë nga dita e diele, saktësisht më 16 tetor, në bazë të ndërrimeve që i kanë pasur.
“Puna ka filluar në ‘Ferronikel’. Të gjithë punëtorët janë rikthyer nëpër vende të punës në bazë të ndërrimeve qysh kanë qenë. Me datën 16 tetor është rikthyer edhe punëtori i fundit dhe tashmë gjendja ka filluar t’i kthehet normalitetit”, ka thënë ai.
I pyetur nga “Gazeta Blic” nëse punëtorët do të marrin pagesën e plotë, meqë punën e kanë nisur në mes të muajit, ai mohoi se një e gjë e tillë do të ndodhë.
“Punëtorët e kanë filluar punën disa ditë me vonesë dhe shkaku i kësaj ata do të paguhen vetëm 70% të pagës sa e kanë”, tha Nika.
Në këtë fabrikë punojnë rreth 900 punëtorë. 600 prej tyre janë të rrethit të Drenasit, përfshirë Skenderajn, Mitrovicën e tutje.