Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili do të organizohet nga 31 maj deri më 3 qershor 2017, prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës tek publiku i Beogradit. Për herë të katërt, publiku i Beogradit do të ketë mundësinë për të ndjekur festivalin i cili do të paraqes skenën e re kulturore të Kosovës.
Ideja e festivalit është të inicioj shkëmbimin e ideve artistike dhe të krijoj një traditë bashkëpunimi në një mjedis unik kulturor përmes një sërë takimesh të komuniteteve kulturore dhe sociale të Serbisë dhe Kosovës. Në këtë mënyrë, ata do të kontribuojnë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes shfaqjeve teatrore, filmave, koncerteve dhe ekspozitave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit do t’i kushtohet debateve me tema të ndryshme që janë të rëndësishme për të dy shoqëritë.
Hapja e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” këtë vit do të mbahet në Qendrën Rinore të Beogradit më 31 Maj, me shfaqjen e filmit të shkurtë “Shok” me regji të Jamie Donoughue, i nominuar për çmimin prestigjoz të Oskarit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtë në vitin 2015. Vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë shfaqjen teatrale “Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtare” me regji të Blerta Neziraj, filmin “Zonjusha” (Lady) me regji të Genc Berisha, si dhe ekspozitën e performancën “Revoltë kundër dhunës” nga Fitore Berisha.
Gjithashtu, vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë Jazz koncertin nga “Visar Kuçi Trio” dhe performancën muzikore “Tandem” nga Oda Haliti dhe Blerta Kosova. Në pjesën kulturore të programit, të gjithë lexuesit e apasionuar, do të kenë rastin unik për të marrë pjesë në promovimin e librit të quajtur “Unë dua të dëgjohem: libri i kujtesës me tregimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës e fundit në Kosovë” botuar nga Integra dhe forum ZFD Kosovë.
Festivali do të mbahet nga 31 maj deri më 3 qershor 2017 në disa vende në Beograd dhe hyrja në të gjitha ngjarjet, si në vitet e mëparshme, do të jetë falas. Për më shumë informata rreth festivalit, ju lutemi vizitoni faqën www.mireditadobardan.com dhe faqen e FB.
Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e festivalit.
Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Integra (Kosovë), Iniciativat Qytetare (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe mbështetet nga forumZFD për Ballkanin Perëndimor, Rockefeller Brothers Fund, Fondacioni Charles Stewart MOTT dhe Ambasada Zvicerane në Prishtinë.