Faton Fetahu, avokat i kandidatit të PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka konfirmuar se Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e PZAP-së për zgjedhjet në këtë Komunë e cila u fitua pa balotazh nga Mehmet Ballazhi.
Fetahu ka shkruar në faqen e tij në Facrbook se drejtēsia për vullnetinne shprehur me votë të qytetarëve të Hanit të Elezit erdhi në vend.
Deklarata e plotë e Avokatit Faton Fetahu:
Jam jashtëzakonisht i lumtur që si Avokat i ri po e filloj punën me vendosjen e drejtësisë për qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit, gjegjësisht vullnetit të tyre të shprehur në mënyrë demokratike në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetarin Mehmet Ballazhi.
Gjykata Supreme sot vendosi për procesin zgjedhor të Hanit të Elezit dhe drejtësia për qytetarët po vjen në vend. Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të kandidatit për kryetar z.Mehmet Ballazhi, sapo pranova vendimin nga Gjykata Supreme e Kosovës, se ankesa që kam parashtruar është miratuar në tërësi si e bazuar.
Ky vendim i Gjykatës Supreme është i rëndësishëm për disa arsye: e para, vulos zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike në komunën e Hanit të Elezit; e dyta, konfirmon fitoren meritore të z.Mehmet Ballazhi; e treta, ripërcakton qartësisht kushtet dhe rrethanat në të cilat mund të vendoset për rivotim; e katërta, konsideron tërësisht të pabazuar vendimin e PZAP-së; dhe e pesta, i aplikon standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira që aplikon Komisioni i Venecias mbi ruajtjen dhe promovimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje, i cili vullnet nuk mund të devijohet apo të zhvlerësohet tërësisht e lehtësisht – ashtu siç i kam propozuar në ankesë.
E përgëzoj kryetarin z.Ballazhi për besimin e palëkundur në drejtësi dhe që ju bashkua pa hezitim bindjes time të thellë se ky proces do të vendoset në favor të tij. Për fund, i uroj qytetarët e Hanit të Elezit për kryetarin e ri të tyre dhe Partinë Demokratike të Kosovës për kontributin e madh në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve të 17 tetorit.