Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ka akuzuar dy kundërkandidatët e tij për keqqeverisje lokale tash e njëzet vite.
“Për njëzet vite rresht komuna e Podujevës ka mbetur më e pazhvilluara në vend. Të dy kundërkandidatët është dashur të ulen në të njëjtën anë, sepse të dy kanë qenë në qeverisje. Është mirë t’iu tregoni qytetarëve si i keni pru deri këtu dhe t’iu kërkoni falje për qeverisjen e keqe. Duhet ta ndryshojmë këtë model të keq dhe t’u ofrojmë qytetarëve argumente dhe programe. Shpejtim Bulliqi për dhjetë vite ka qenë drejtor i arsimit i LDK-së dhe as Vetëvendosja nuk e pranon si kandidat për kryetar”, është shprehur Fetahu në emisionin Debat në RTK.
Ai theksoi se shkalla e papunësisë në komunën e Podujevës është e lartë pasi bizneset janë zhvendosur në qytete tjera si Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Lipjan, gjë që sipas tij ka ndikuar në largimin e të rinjve nga qyteti.
Fetahu tha se në qeverisjen e tij sistemi arsimor dhe administrata do të depolitizohen dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të parimit të meritokracisë.
“Sistemi arsimor duhet të depolitizohet. Njëzet drejtorë janë ushtrues detyre, gjë që i tejkalon limitet. Vazhdimisht ka padrejtësi në punësim dhe avancim. Ka aktakuza të ngritura në prokurori ndaj drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë. Te gjitha këto duhet të bien. Administrata nuk ka nevojë të ngurrojë”, tha Fetahu.