Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për Kosovën dhe pretendimet që lidhen me vitin 2030 përbëjnë vazhdimësi të një politike agresive ndaj Kosova, ka thënë drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi për Ekonomia Online.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online vlerëson se deklaratat e tilla dëshmojnë për një diskurs të vazhdueshëm të militarizuar nga Serbia ndaj Kosovës.
“Për fat të keq, kemi të bëjmë me vazhdimin e një politike agresive kundrejt Kosovës. Nuk është asgjë e re në diskursin e militarizuar të Serbisë kundrejt Republikës së Kosovës, që dëshmon për një qasje të përforcimit të rreshtimit të saj me boshtin revizionist ruso-kinez, dhe që kalkulon në përpjekjet e veta për të përfituar kohë me qëllim të realizimit të apetiteve politike të Serbisë që janë ekspansioniste kundrejt Kosovës dhe jo vetëm kundrejt Kosovës, nëse i referohemi projektit të ‘Botës Serbe’. Pra, kemi të bëjmë me një vazhdimësi të politikës agresive nga Beogradi zyrtar, e cila në vlerësimin e Institutit Octopus, përbën momentin e fundit ku qasja e komunitetit euro-atlantik duhet të ndryshojë nga menaxhimi i Serbisë në kushtëzimin e Serbisë, sepse nuk njeh gjuhë tjetër Serbia si burim destabilizimi në Ballkanin Perëndimor. Pra, në qoftë se do të tolerohet edhe më tutje me projektin e Serbisë 2030, Serbia do të manovrojë edhe më tutje si një aleat besnik i Rusisë për të realizuar qëllimet e saj ekspansioniste në Ballkan, dhe kjo është kërcënimi më i madh hibrid për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar ai.
Drejtori i institutit ka folur edhe për situatën e brendshme në Serbi dhe mungesën e hapësirës për zëra kritikë ndaj politikave të regjimit të Vuçiqit.
“Për fat të keq, ajo çfarë ne vërejmë në Serbi është një propagandë agresive e përfshirjes së të gjithë aktorëve atje nën komandën e regjimit të Vuçiqit, përkundër pak zërave liberalë që nuk gjejnë hapësirë për të shprehur kundërshtimin dhe qasjen ose kritikën ndaj kësaj politike të gabuar, e cila rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, ka thënë ai.
Fetoshi ka theksuar se është e domosdoshme që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të vijnë mesazhe më të qarta dhe masa konkrete ndaj Serbisë.
“Ajo çfarë ne vlerësojmë është domosdoshmëria që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të vijnë mesazhe të qarta, më konkrete, dhe të ndërmerren masa në përputhje me veprimet e Shteteve të Bashkuara përmes sanksioneve dhe përmes Aktit Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare ndaj Serbisë. Që edhe Brukseli të fillojë masat konkrete ndaj Serbisë me qëllim që ta disiplinojë atë sa i përket diskursit kërcënues dhe militarizuar kundrejt Kosovës, dhe që ta disiplinojë atë mbi domosdoshmërinë e pranimit të realitetit të ri gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor me Republikën e Kosovës. Ashtu siç e kanë ritheksuar Serbia duhet të detyrohet të sillet në mënyrë konstruktive drejt epilogut të procesit të dialogut me njohjen reciproke mes dy vendeve, si zgjidhja e vetme që do t’i ndihmonte përforcimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka deklaruar ai.
Sipas Fetoshit, reagimet nga institucionet e Kosovës ndaj deklaratave të tilla janë të domosdoshme.
“Mendoj që ka pasur vazhdimisht reagime dhe besoj që reagimet janë të domosdoshme në kuptimin e kundërpërgjigjes ndaj kërcënimeve që paraqet ky diskurs i Vuçiqit. Mirëpo, në anën tjetër, siç e thashë, kemi të bëjmë me vazhdimin e logjikës së njëjtë, me vazhdimin e diskursit agresiv, me vazhdimin e një politike e cila ëndërron rikthimin e Kosovës dhe realizimin e apetiteve të saj hegjemoniste”, ka theksuar ai.
Ai shtoi se faktorët ndërkombëtarë duhet të kenë rol kyç në përmbylljen e konfliktit mes dy vendeve.
“Në këtë kuadër mendoj që faktorët që duhet të tregojnë vëmendje të shtuar janë faktorët ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian si ndërmjetës dhe me SHBA-të si faktor kyç për t’i dhënë shans përmbylljes së duhur të konfliktit përmes njohjes reciproke”, ka shtuar ai.
Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq derisa prezantoi strategjinë kombëtare “Serbia 2030” tregoi hapur oreksin e tij territorial, duke përfshirë dhe Kosovën si pjesë të hartës politike dhe ushtarake të vendit të tij, pavarësisht se pretendoi se nuk kërkon luftë, por vetëm paqe.
“Kushtetuta e Republikës së Serbisë thotë pa mëdyshje se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë. Kjo është shkruar edhe në Kartën dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nëse disa në botë e pranojnë apo jo. E vetmja zgjidhje për Kosovën është biseda! Pa konflikte apo luftë, por dialogu, dhe vetëm dialogu… Fatkeqësisht, sot nuk kemi partner për bisedime, dëshira e tyre e vetme është dëbimi i serbëve nga atdheu i tyre shekullor. Ne duhet të forcojmë shkollat, spitalet dhe njerëzit tanë si themel të qëndrimit në Kosovë”, tha Vuçiq.
