Arben Fetoshi nga Instituti Octopus ka vlerësuar ftesën që presidenti amerikan Donald Trump ia bëri presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të qenë pjesëmarrëse në themelimin e Bordit të Paqes, duke thënë se kjo ftesë ka rëndësi të shumëfishtë, ku ndër të tjerash rikonfirmon Kosovën si shtet sovran, dhe avancon marrdhëniet e saj strategjike me Shtet e Bashkuara të Amerikës.
“Ftesa e Presidentit Donald Trump drejtuar Presidentes Vjosa Osmani që Republika e Kosovës t’i bashkohet si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, ka rëndësi të shumëfishtë: e rikonfirmon Kosovën si shtet sovran, avancon marrëdhëniet e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe afirmon rolin e saj si burim i paqes në rajon, duke i dhënë goditje vendimtare propagandës së Serbisë. Të gjitha konstruksionet e saj, që synojnë prezantimin e Kosovës si çështje ende të pazgjidhur politike, si burim destabiliteti në rajon dhe si një vend që “terrorizon” qytetarët serbë, demolohen përfundimisht, në përputhje me Normandy Index 2025, i cili e ka vlerësuar Kosovën si cak të kërcënimeve hibride nga Serbia. Ky instrument i BE-së, që e mat probabilitetin e destabilizimit në bazë të indikatorëve të nxjerrë nga “EU Global Strategy”, e lidh drejtpërdrejt Serbinë me tensionet në veri të Kosovës, duke e klasifikuar atë si burim destabilizimi, për shkak të afrimit të vazhdueshëm me Rusinë dhe Kinën (fq. 66–67)”, ka shkruar ai.
Në këtë shkrim Fetoshi ka përmendur edhe renditen e Kosovës në pozitën e 13 dhe dhe e Serbisë në të 41-të për nivelin e kërcënimeve ndaj paqes e demokracisë në botë, vërteton po ashtu se Kosova është më së miri në rajon për siguri strategjike
“Ndërkaq, renditja e Kosovës në pozitën e 13 dhe e Serbisë në të 41-të për nivelin e kërcënimeve ndaj paqes e demokracisë në botë, vërteton po ashtu se Kosova është më së miri në rajon për siguri strategjike, ndonëse e ekspozuar ndaj presionit hibrid, ndërsa Serbia është shumë më dobët dhe paraqet një aktor destabilizues përmes mjeteve hibride. Në kontekstin aktual gjeopolitik, ftesa e Presidentit Trump është edhe mesazh i qartë për shtetet e organizatat mosnjohëse të Kosovës, që e pozicionon atë si subjekt të barabartë në përpjekjet globale për paqen. Një trajektore e tillë e zhvillimeve ndërkombëtare për Kosovën, duke e lidhur ftesën me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe me vlerësimin e BE-së në raportin “Hartëzimi i kërcënimeve ndaj paqes e demokracisë në botë”, përbën një sinjal të qartë strategjik: Kosova është subjekt ndërkombëtar, e rreshtuar në anën e duhur të historisë, dhe nuk mund të definohet me narrativat e fabrikuara të Serbisë”, ka shkuar ai.