FIFA kërkon nga Shqipëria siguri për Izraelin

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 15:33 | Nga

Rreziqet nga sulmet e mundshme terroriste e kanë shtyrë FIFA-n që ta obligojë Federatën Shqiptare të Futbollit që ndeshjen e 12 nëntorit kundër Izraelit, Kombëtarja Shqiptare ta zhvillojë në Elbasan, e jo në Shkodër siç ishte planifikuar fillimisht. Lajmin e ka konfirmuar FSHF-ja.

Kjo ka ardhur me qëllim që t’i krijohet siguri maksimale ekspeditës izraelite, që është konsideruar e rrezikuar për motive të njohura politike në Lindjen e Mesme.

Para pak ditësh në Shkodër janë arrestuar katër persona të dyshuar për planifikime të sulmeve terroriste, e të cilët thuhet se janë zbuluar pikërisht nga Shërbimet Sekrete Izraelite.

Mediat në Tiranë kanë raportuar edhe për një takim në mes zyrtarëve të FIFA-s, FSHF-së dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, me ç’rast palët janë pajtuar që ndeshja të zhvillohet në Elbasan. Mediat shqiptare kujtojnë se Elbasani është dëshmuar si vend i sigurt për ndeshje të konsideruara si të “rrezikshme”, siç ishte rasti me ndeshjen Shqipëri – Serbi, e cila ishte kryer pa asnjë problem, ndonëse pritej me tensione të mëdha. (Zëri.info)

Të ngjashme