Shqipëria shpreson t’i nisë me fitore eliminatoret

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Te Kombëtarja e Shqipërisë shpresojnë të kenë lënë pas periudhën e vështirë dhe të fillojnë mbarë kualifikimet për “Euro 2020”.

“Kuqezinjtë” të premten (sot, 20:45) në “Loro Boriçi” të Shkodrës, takohen me Turqinë, që po ashtu ka pasur krizë rezultatesh së fundi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndeshja Shqipëri – Turqi është e para e Grupit H të eliminatoreve për Evropianin e ardhshëm të futbollit. Në termin të njëjtë luhen edhe takimet Andorra – Islanda e Moldavia – Franca. Synim i Shqipërisë është vendi i dytë në grup, që do t’ia siguronte paraqitjen në Evropian për herë të dytë.

Kombëtarja ka debutuar në ngjarjen e madhe evropiane në vitin 2016 kur ndonëse nuk kaloi grupin, la përshtypje të mirë. Por përshtypje të mirë nuk ka lënë vitin e kaluar kur pati fushatë të pasuksesshme në Ligën e Kombeve.

Pasi fitoi ndaj Izraelit, Shqipëria pësoi dy herë nga Skocia e një herë nga izraelitët. As miqësoret nuk i shkuan në favor. Pësoi nga Norvegjia, Kosova e Ukraina, ndërsa ka mposhtur Uellsin dhe ka barazuar me Jordaninë. Dhe tash për të përzgjedhurit e Christian Panuccit vjen koha e rëndësishme, e dëshmimit të vlerave në kualifikime. Panucci ka përsëritur të enjten në konferencë për shtyp se synim është fitorja.

“Unë jam pozitiv dhe skuadra është e përgatitur. Skuadra ka kualitet, siç ka edhe Turqia. Jam i bindur që mund të arrijmë një fitore, por gjithçka mbetet për t’u parë nesër. Duhet të japim maksimumin në fushën e lojës”, ka thënë italiani Panucci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme