Zvicër–Serbi është një ndeshje e destinuar të zgjasë, pavarësisht se verdikti i fushës i dha fitoren 2-1 me përmbysje rezultati helvetëve. Festimi i Xhakës dhe Shaqirit, fjalët e trajnerit të kombëtares serbe Krstajic si dhe koret e tifozerisë ballkanase kanë detyruar FIFA-n të hapë një proces gjyqësor.
Dy golashënuesit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të hetohen për mënyrën e festimit me shqiponjën e formuar nga duart e tyre.
Festimi i tyre ka bërë jehonë të madhe në mbarë botën, ku është shpjeguar gjithçka me detaje rreth jetës së dy futbollistëve por edhe familjes së tyre.
Parashikohet që vendimi më i mundshëm të jetë një gjobë për dy futbollistët edhe pse do të jetë komisioni i disiplinës në FIFA që do të vendosë për sanksionet ndaj tyre. Me 4 pikë të grumbulluara tashmë helvetëve u nevojitet vetëm një barazim ndaj Kosta Rikës në ndeshjen e fundit në grup të mërkurën për të kaluar më tej.
Në hetim ka përfunduar edhe trajneri i kombëtares serbe Mladen Krstajic që në përfundim të takimit u shpreh se vetëm serbët dënohen në bazë të gjykimeve selektive, më parë ishte gjykata ndërkombëtare e Agës dhe sot sistemi VAR. Mesa duket në festën e futbollit botëror numri një i stolit të serbëve ka bërë bashkë futbollin me genocidin, çka ka detyruar FIFA-n të nisë hetimin edhe për të.
Ndërkohë që në hetim kanë përfunduar edhe korret raciste të tifozerisë serbe përgjatë të gjithë takimit sidomos në momentet kur topi zotërohej nga futbollistët shqiptarë të Zvicrës. Ndërkohë që është përjashtuar nga çdo hetim kapiteni i skuadrës së drejtuar nga Petkovic Stefan Lichtsteiner.