Mashallah!
Mish po, pije energjike po, kingja e muzikë live ju keni premtu, plus po i bëni të ndjehen si heronj, pa qenë ata hiç heronj.
Dalldia patriotike e shqiptarëve me policinë është interesante!
Policia janë të punësuar, atë punë kanë, për atë punë paguhen, nuk kanë shkuar atje vullnetarisht me duar në xhepa për t’u flijuar për Veriun e Kosovës.
Veriun e Kosovës e kanë lënë shkret shqiptarët, na kanë përzënë serbët, (qeveria serbe i ka blerë pronat e shqiptarëve).
Pse s’tregoni drejt!
Dhe ata serbë që na kanë përzënë (pasi kanë vrarë e masakruar shqiptarë), marrin rroga nga qeveria Kurti, pa punuar fare!
Politikanët shqiptarë ‘mahallën e boshnjakëve’ e quajnë Veriu i Kosovës. Mashtrojnë.
Në ‘mahallën e boshnjakëve’ është ndërtesa legale e zyrës ilegale të qeverisë serbe me mbishkrimin e madh ‘Republika e Serbisë’!
Përballë saj pinë patriotat shqiptarë kafe dhe blejnë ilaçe nga serbët, dhe nuk tuten!
Por as nuk u pengon institucioni i qeverisë serbe, zyra e Serbisë për Kosovën!
Nuk është patriotizëm me ru një rrugë të Kosovës me arnë sa krahu, nëse mendon se Veriu është i Kosovës!
Është patriotizëm, por jo bash-bash patriotizëm burimor. Është detyrë e policit!
Fiks-idetë e shqiptarëve për patriotizmin janë fallse dhe gjithmonë lidhen me alltia!
Nuk është atraktive për shembull nëse u çon ilaçe falas pacientëve me Covid-19, të cilët po e ndërpresin shërimin se s’kanë pare!
Veç nëse pacienti mban allti n’shokë, po, bëhet atraktiv.
Një ditë, derisa po bleja diçka, e kisha telefonin në dorë, pritova me çel çantën (se çanta e vogël, e mbaj veç për kurum), dhe pa një pa dy, shpejt si rrufe e futa telefonin nën hellanka në bel!
Shitësi më kishte parë dhe duke qeshur më tha: ‘unë kishe allti valla’!
Diqysh menjëherë u duka simpatike.
Krejt tjetër tretman ta japin kur mendojnë se je i alltijave.
Shqiptari më përpara ta drejton alltinë sesa që ta jep një buzëqeshje!
Se alltia dhe trimëria shkojnë bashkë!
Ama unë ia pranoj për trimëri veç atij që s’ka allti dhe duarthatë u hyn ‘belave’!
Kështu diçka, si unë, e vetme ‘kundër’ të gjithëve, derisa t’më zë naj taksirat diku.
Pa pare, pa shokë, pa ëndrra…fikall vetëm!
Se po dal pak prej teme.
Unë lutem, por lutjet e mia nuk pranohen nga Zoti. Nuk e di pse. Jam e pafajshme. Herën e fundit jam lutur aq shumë sa m’u ka dukur se ka lëvizur shtrati nga vendi. Por, ende asnjë reagim nga lart!
Ku mbeta!
Po.
Pra, nuk është patriotizëm joshës për shqiptarët që të ngritemi në këmbë për ta ballafaquar Arben Vitinë me Drejtësinë, për krimet e tij në luftën kundër pandemisë.
Arben Vitia e ka shtruar lëndinën me varreza!
E ka mashtruar popullin se ka marrë fund pandemia, në kulmin e pandemisë!
Qeveria Kurti e ka shfrytëzuar pandeminë (duke e rrezikuar shëndetin publik) dhe tash po e shfrytëzon policinë (duke rrezikuar trazira), thjesht për fushatë!
Dita e katërt në Veri po e zbulon se Albin Kurti në njëren anë dhe Aleksander Vuçiqi në anën tjetër janë në hall për vota, dhe Veriu i Kosovës gjithmonë është ‘fabrikë’ për prodhimin e votave!
Show ishte i bukur në fillim, derisa u bë fyell krejt, me reklama e foto banale u zhvesh nga vlerat dhe nga vezullimat që e mbulonin!
Kam lexuar se për ta mbrojtur fermën nga shqiponjat, duhet të varësh përreth saj objekte që vezullojnë, sepse shqiponjës ia vrasin syrin objektet që shkëlqejnë, si: CD-ja, folia e aluminit, etj.
P.S. Ndërkohë, sot në Oslo në Teatrin e Rrugës jepet shfaqja ‘Dagen ingenting’ – ‘Nothing Day’!