Filarmonia e Kosovës në një konferencë për medie shpalosi detajet rreth koncertit të Korit dhe Orkestrës që do të mbahet të dielën, e ku do të interpretohet vepra “Requiem” nga Mozarti, në kujtim të grave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë
Me këtë rast Filarmonia i bashkohet fushatës 16 ditore të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Filarmonisë se Kosovës, Baki Jashari, tha se kjo vepër realizohet pas 10 vjetësh kur është realizuar për herë të fundit.
“Nesër në atelienë e Pallatit të Rinisë do të realizohet vepra ‘Requiem’ nga Mozarti, me këtë rast është angazhuar kori dhe orkestra. Kjo realizohet plotë pas dhjetë viteve kur është bërë për herë të fundit”, tha ai.
Dirigjenti, Rafet Rudi, tha se është një nder i madh që mbanë këtë përgjegjësi.
Sipas tij, kjo vepër është luajtur shumë vjet përpara, por gjithmonë formacionet orkestrale dhe korale nuk kanë qenë të përbërë prej kosovarëve.
“Një nder që unë mbaj këtë peshë të kësaj mbrëmje për vepër monumentale. Kjo vepër është luajtur shumë vjet përpara, por gjithmonë formacionet orkestrale dhe korale nuk kanë qenë të përbërë prej njerëzve tanë”.
“Para shumë vjetëve kemi pasur njerëz tjetër. Për herë të parë kjo realizohet. Unë këtë koncert e shoh në vazhdën e realizimit të disa veprave të mëdha”, tha ai duke shtuar se janë në prova gjenerale.
Rozafa Kelmendi, nga Un Women, tha se është nder i madhe që Filarmonia i bashkohet fushatës 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.
“Shpresojmë të jetë mesazh për gratë që nuk gjetën dashuri në këtë botë. T’u ofrojmë më shumë dashuri”, theksoi ajo.
Diellza Sylejmani, soliste, u shpreh e kënaqur që Filarmonia i është bashkuar kauzës kundër dhunës ndaj grave, raporton EO.
“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj vepre. Kjo është hera e parë që prezantohem si solistë në këtë vepër të madhe. Jam e lumtur që Filarmonia i është bashkuar kauzës për dhunën ndaj grave”, tha ajo.
Tenori, Liridon Sadriu, tha se është i lumtur që për herë të dytë do të marrë pjesë në interpretimin e kësaj vepre.
“Është hera e dytë që do të këndojë partin solo në këtë vepër. Së bashku jemi pjesë e kauzës kundër dhunës ndaj grave. Besoj që do të shkojë mirë koncerti”, u shpreh ai.
Në këtë koncert do të marrin pjesë edhe soprano nga Franca, Amelie De Broissa e cila u shpreh krenare që do të jetë pjesë e këtij koncerti.
Pjesë e koncertit do të jetë edhe baritonisti nga Danimarka, Lars Fosser, i cili tha se është i nderuar që jetë i ftuar në një koncert special si ky.