Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka vizituar sot studentët të cilët do t’i nënshtrohen provimit pranues.
Ai ka vizituar Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin Filozofik, raporton Ekonomia Online.
Rektori gjatë takimit me studentë iu tha atyre se shpreson në suksesin e studentëve të rinj.
Ai në një prononcim për media bëri të ditur se kanë konkurruar mbi 12 mijë e 600 studentë në 143 programe studimore.
Ai siguroi kandidatët për transparencë dhe se do të pranohen ata që e meritojnë.
“Kanë konkurruar 12 mijë e 600 studentë në 143 programe studimore. Do të pranohen ata që e meritojnë. Të bëhesh pjesë e universitetin nuk është lehtë”.
Dema bëri të ditur se rezultatet e provimit pranues do të shpallen të hënën, raporton EO.
Të bindur se do të kenë sukses në provimin pranues u shprehën edhe kandidatët.
Zijafera Hashani, nga Kaçaniku, tha se beson në transparencën e universitetit duke treguar se është përgatitur mjaft për këtë provim.
Në anën tjetër, Hëna Rexha, nga Istogu, tha se ka aplikuar në programin e Shkencave politike pasi, sipas saj, ka më shumë perspektivë për punësim.