Në komunën e Vitisë ka filluar punimet në rehabilitimin e rrugës nga Kllokotit deri në Gjilan i financuar nga Banka Botërore për Zhvillim dhe Rindërtim, raporton Ekonomia Online.
Në fillimin e këtyre punimeve ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.
Kryeministri Hoti, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë rrugë, falënderoj kryetarët e tri komunave Gjilan, Viti e Kllokot për bashkëpunimin.
“Jemi sot këtu me promovuar fillimin e punimeve për këtë projekt të financuar nga BERZH Unë jam i nderuar që po fillojmë punën dhe falënderoj kryetrarin e Gjilanit, Vitisë dhe Kllokotit, për bashkëpunimin, dhe ti falënderojnë në qasjen regjionale për menaxhimin e pandemisë” ka thënë Hoti.
Hoti tha se biseduam edhe për projektin e Gerlicës, i cili do fillojë në vitin e ardhshëm
Ndërsa, ministri Abrashi tha se këto projekte do të ndihmojnë zhvillimin e këtij rajoni.
“Këto investime ndihmojnë në zhvillim e këtij rajoni. Ne do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera që ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve” ka thënë Abrashi.
Ai poashtu ka thënë se do të kthehen në Anamoravë edhe për projekt të tjera.
Ndërsa, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se janë të nderuar me prezencën e kryeministrit, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt.
“Ky projekt i shumëpritur është i rëndësishëm dhe deficitar. Poashtu mora nga kryeministri premtim se projekti për Gerlicën do fillojë vitin e ardhshëm dhe e di që ai do ta mbajë fjalën”, tha ai.
Haliti ka falënderuar BERZH-in për investimin dhe se ky regjion i meriton këto investime.
Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri , ka thënë se ky projekt i madh i jep dimension zhvillimor kësaj pjese të Anamoravës.
“Jam i lumtur që brenda një muaji po e fillojmë projektin e dytë të aksit të rrugëve në lindje të Kosovës. Pas rrugës Gjilan-Prishtinë, sot po e fillojmë ndërtimin e rrugës Kllokot-Gjilan, e cila ka impakt të madh dhe i jep dimension zhvillimor komunave të Anamoravës”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit pohoi se po bashkëpunojnë në mënyrën më të mirë në rrafshin regjional, derisa në projekte, BERZH është bërë partneri më i madh në Qeverinë e Kosovës.
“Përpos kolektorëve të ujërave të zeza në gjatësi prej 40 kilometra dhe impiantit, tashmë edhe rrugët po ndërtohen bashkërisht”, ka shtuar Haziri, teksa ka shtuar se bashkë me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, do t’i ndërtojnë rrugët, Ballancë-Kravaricë dhe Letnicë-Stançiq, për t’i dhënë dimension bashkëpunimit lokal, në kuadër të investimeve publike.