Në Prishtinë ka filluar punimet Konferenca Ballkanike për Ujin, që për synim ka trajtimin e krizës së ujit dhe adresimin e kësaj problematik,e raporton EkonomiaOnline.
Këtë vit tema e Konferencës, “Ujë për të Gjithë” është frymëzuar nga “Dita Botërore e Ujit 2019” e OKB-së.
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në hapje të kësaj konference tha se gjatë 5 vjetëve të ardhshme Kosova do të arrijë të trajtojë ujërat e zeza në tërë vendin.
Ai falënderoi të gjitha vendet mike të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në fushën e ujërave, ndërsa tha se sfidë mbetet faturimi i ujit, i cili sipas tij është vetëm 42 për qind në nivel vendi.
“Normalisht që tema e kësaj konferencë tregon për rëndësinë që ka për vendin. Shumë puna janë bërë duke falënderuar shumë qeveri të jashtme qe kanë ndihmuar në investime sidomos qeverinë gjermane e duke mos lëmë anash as qeveritë tjera. Kosova për herë të parë do të jetë tërësisht me trajtimin e ujërave të zeza kurse pas 5 vitesh kjo do ta mbulojë tërë Kosovën. Sfidat mbesin. Akoma pas 3 vitesh rreth 42 për qind mbetët faturimi që është shumë i ulët dhe normalisht që këtu duhet të fokusohemi më shumë”, tha ai.
Në hapjen e konferencës “Ujë për të gjithë”, një fjalë rasti e mbajti edhe ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.
Ai foli rreth rëndësisë së investimeve në sigurimin e ujit të pijshëm dhe veprimeve konkrete që ai si ministër i ka ndërmarrë gjatë mandatit në ndërtimin e rezervave të reja ujore në vend.
“Falënderoj donatorët ndërkombëtarë, për përkrahjen e madhe që po japin në fushën e ujërave, në ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit anë kënd vendit dhe impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Apeloj nga të gjithë që të kemi përdorim sa më racional të ujit për të siguruar kështu ujë të pijshëm për ne dhe gjeneratat që vijnë”, tha Matoshi.
E abasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se Kosova ka shënuar progres sa i përket jetësimit të ujit të pijshëm.
“Kosova ka shënuar një progres sa i përket jetësimit të ujit. Qeveria gjermane ka vazhduar të investojë qytetarët e Kosovës sa i përket projekteve për ujë dhe kjo ndihmesë do të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë ambasadori gjerman.
Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike është shndërruar në ngjarjen më të madhe në ndarjen e informacionit dhe lidhjes në sektorin e ujit në Ballkanin Perëndimor.
Me një audiencë prej mbi 500 pjesëmarrës nga Rajoni i Ballkanit dhe më gjerë, Konferenca vazhdon të ofrojë një platformë ku profesionistë të ujit, politikbërës, dhe profesionistë të biznesit nga sektori mund të mblidhen dhe diskutojnë mbi çështje me interes, shkëmbejnë informacion, dhe ndajnë përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.
Si tradicionalisht, paralel me Konferencën, Komiteti Organizativ ka planifikuar një ambient të madh për Ekspozitën ku do të ekspozohen Pajisje, Teknologji dhe Shërbime, nga një rrjet i gjerë kompanish të sektorit privat që janë aktivë në sektorin e ujit të Rajonit të Ballkanit.