Kanë filluar punimet në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë – SEEK”, implementuar nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) në kuadër të programit 20.6 milionësh , raporton Ekonomia Online.
Punimet për renovimin e ndërtesave nëpër 7 komuna të ndryshme në Kosovë për efiçiencë kanë nisur në komunën e Lipjanit.
Zëvendësambasadori i ShBA-së në Kosovë, Nicolas Giacobbe vlerësoi se projekti i MCC-së dhe MFK-së do të shërbejë si model bindës që të inkurajojë qytetarët të kursejnë duke mbrojtur edhe ambientin në të njejtën kohë.
Giacobbe, ritheksoiefi që ndihma e ShBA-së përfshirë këtu Programin e Pragut, synon të fuqizojë Kosovën .
“Është e një rëndësie të madhe ky projekt i këtyre punimeve dhe renovimeve, duke bërë kështu që ekonomia dhe energjia të krijoj një sistem stabilë në këtë projekt”.
“…kemi punuar shumë në atë se si mund të punojmë dhe çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim bashkë me partnerët tanë”, tha Giacobbe.
Petrit Selimi, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për komunën e Lipjanit.
“Është një projekt i rëndësishëm par këtë komunë. Janë gjithsej 9 hyrje. Partneriteti ka qenë bashkërisht me ekipet tona, dhe që do ta rrisin efiçiencën elektrike dhe ndihmën për qytetarët e kësaj komune”.
Sarah Olmstead, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), tha se ky partneritet ka rëndësi të madhe sepse shënon një punë të gjatë.
“Ky partneritet ka shumë rëndësi sidomos pas një pune të gjatë dhe është kënaqësi të jemi këtu sidomos në përmasimin e fushës së energjisë dhe u dimë problemet e shumta që zakonisht na shfaqen, kështu që shpresoj që renovimet e tilla do japin një rezultat të madh në të ardhmen”, tha ajo.
Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, tha në këtë projekt përfshihen 143 banesa dhe është një ndihmë e jashtëzakonshme për Lipjanin.
“Do të rinovohen kulmet, do të ndërrohen dyert dhe dritaret, si dhe do të pëmirësohet izolimi termik i tërë ndërtesës përmes projektit ‘Rinovimet për Efiçiencë në Ndërtesa Shumë-Banesore (AER)’. 143 banesa në Komunën e Lipjanit do të rinovohen dhe do të kursejnë në fatura të energjisë elektrike”, tha Ahmeti.
Fokusi i AER është sigurimi i subvencioneve për komunitetet banesore në Kosovë për të investuar në pajisje të cilat do të zvogëlojnë konsumin e energjisë, si dhe inkurajimi i ndryshimit të sjelljes drejt efiçiencës së energjisë. AER do të sigurojë subvencione për ndërtesat shumëbanesore në komunat e përzgjedhura nga Banka Botërore, për t’i zbatuar masat për përmirësim të efiçiencës së energjisë në hapësirat e përbashkëta dhe mbështjellësin termik.
Projekti SEEK është pjesë e një projekti më të madh që zbatohet nga MFK-ja me mbështetjen e konsorciumit GFA/HPC si konsulent implementues, i quajtur ,”Projekti i Peizazhit të Energjisë së Besueshme” (RELP), objektivi gjithëpërfshirës i të cilit është zvogëlimi i hendekut midis kërkesës dhe furnizimit të energjisë, duke ulur përdorimin e energjisë përmes testimit të investimeve të ekonomive familjare në efiçiencë të energjisë, kalimit në burime që nuk shfrytëzojnë energjinë elektrike dhe që janë kosto efektive për ngrohje dhe zvogëlimit të pengesave për hyrje në treg të prodhuesve të pavarur të energjisë.
Fondacioni Milenniumit i Kosovës (MFK) është fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2018 për të zbatuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), me vlerë 49 milion dollarë.
Programi i Pragut i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësitë reale dhe të përceptuara në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën.