Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë shpërndarjen e faksimileve (vulave) të mjekëve. Shpërndaja filloi nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Plaurat Sejdiu tha se shpërndaja e faksimileve është bërë në mënyrë që të futet një rregull në fushën e shëndetësisë, pacienti të dijë me kë ka të bëj, mjekët të jenë të mbrojtur dhe këtë vulë ta mbajnë mjekët profesionist.
“Ne që në fillim kemi menduar se do shkojë më ngadalë, por rrjedhat në Odë kanë bërë që shumë gjëra që nuk janë paraparë për sivjet të ndodhin, ndër to kanë qenë faksimilet”, tha Sejdiu, raporton Ekonomia Online.
Ai ka treguar se shumë të dhëna iu është dashur që t’i verifikojnë për shkak se kanë qenë gabim.
“Kemi dashur të sigurohemi që të dhënat që i kemi t’i verifikojmë dhe shumë të dhëna kanë qenë gabim tek ne, te aplikacionet me gabime teknike, nga pakujdesia e anëtarëve, por edhe probleme që kanë dalë gjatë procesit të licencimit në ministri. Arsyeja është që të fusim rregull dhe rregulli na mbron neve”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se mjekët të cilët janë anëtarësuar në Odë brenda afatit të caktuar dhe që kanë licencë, Oda e mjekësve u jep faksimile pa asnjë kosto shtesë, ndërsa ata të cilët nuk janë anëtarësuar me kohë dhe që nuk kanë licencë apo rilicencuar janë duke vepruar jashtëligjshëm dhe për të marrë faksimilen duhet të paguajnë me financimin e tyre.
Ai tha se që nga 1 korriku nëse nuk janë licencuar dhe kanë punuar me licenca të vjetra, ato janë të pavlera dhe të jashtëligjshme.
“Kriteret kanë qenë, ata që ende që nuk janë anëtarësuar në Odë, nuk kanë licenca dhe nuk munden me marrë faksimile, për ne janë të jashtëligjshëm sepse pa licencë që nga 1 korriku çdo gjë që bëni është jashtëligjore”, tha Sejdiu, raporton EO.
“Të gjithë ata që janë anëtarësuar në Odë brenda afatit i kanë shpenzimet për faksimile nga Oda. Ata të cilët janë anëtarësuar jashtë afatit të përcaktuar nga kuvendi i Odës, ata i bartin shpenzimet e faksimiles vet”, tha Sejdiu.
Drejtori i shtëpisë së shëndetit, Rrezart Halili, u bëri apel të gjithë mjekëve nëpër qendrat familjare, që ata që nuk janë rilicencuar ta bëjnë këtë sa më parë që është e mundur.
“Me shpërndarjen e vulave do të jetë motivim shtesë për ata që ende nuk janë licencuar apo anëtarësuar, ta bëjnë sa më parë. Në bashkëpunim me inspektoratin shëndetësor do bëhen vizita se a janë standardet e kërkuara sipas Odës së mjekëve”, tha Halili.
Halili tha se për të marrë faksimilen duhet të vijnë në këtë qendër dhe të sjellin dokumentacionet e nevojshme si licenca valide dhe mund ta marrin faksimilen, ndërsa ata të cilët ende nuk janë të rilicencuar apo të licencuar nuk kanë të drejtë të pajisen me faksimile.