Ka filluar sesioni i liderëve në Tiranë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe për herë të parë po merr pjesë edhe presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq.
Por pavarësisht pjesëmarrjes së tij nuk ka ndonjë informatë zyrtare se Mali i Zi i është bashkuar inciativës së “Mini-Shengenit Ballkanik”.
Takimi po mbahet me dyer të mbyllura, ndërsa si temë e diskutimit janë hapat që do të ndërmirren në të ardhmen, ekonomia dhe lëvizja e lirë.
Gjatë ditës së sotme bashkë me Ramën si nikoqir liderët ballkanikë kanë vizituar të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa mbrëmë morën pjesë në koncertin e solidaritetit “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina edhe kësaj radhe nuk po merr pjesë. Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e nikoqirit të këtij takimi, kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ai në një postim në Facebook kishte treguar disa nga arsyet pse Kosova nuk duhet të jetë e pranishme në këtë takim.
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.
Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.