Dy gra të reja janë pjesë e ekranit. Flasin për shpresën që të kenë fëmijë. Ato janë pjesë e filmit nigerian “Ife”, i cili e shtjellon jetën e tyre në çift. Ndërsa, tema është problematike në Nigeri, pasi që lidhjet e së njëjtës gjini në këtë shtet janë të dënueshme deri në 14 vjet burgim.
Uyaiedu Ikpe-Etim është regjisore e filmit dhe ka thënë se një temë e tillë është dashur që të trajtohet.
“Për një kohë të gjatë e ndieja se e kemi thënë veç një pjesë të tregimit dhe një tregim nuk është i kompletuar nëse nuk i përfaqëson të gjitha grupet e shoqërisë. Prandaj doja që ta rrëfeja tregimin e plotë, duke i përfaqësuar edhe personat e komunitetit LGBT në Nigeri”, ka thënë ajo.
Nigeria është një shtet shumë fetar dhe me miliona qytetarë e denoncojnë homoseksualitetin, si një të keqe të sjellë nga Perëndimi i korruptuar.
Personat që i përkasin komunitetit LGBT zakonisht takohen fshehtas ose online, pasi që dalja e tyre në publik shoqërohet me stigmatizim, refuzimin nga familja dhe shpesh me dënimin e goditjeve me gurë, që parashihet me ligjin e Sheriatit.
Deri më tani askush nuk është dënuar nën ligjin që ndalon lidhjet e së njëjtës gjini, mirëpo rastet e 47 burrave që janë akuzuar për lidhje të tilla, janë duke u mbikëqyrur. Aktivistët kanë thënë se ligji më shumë është përdorur për korrupsion. Të dyshuarit kanë dhënë para, me qëllim që të mos akuzoheshin për lidhje të tyre të së njëjtës gjini.
Traileri i këtij filmi, i publikuar në muajin korrik, shfaq pamjet e grave tek flasin për dashurinë e tyre dhe presionin familjar.
Ani pse ishte fort e frikësuar për këtë temë, Uzoamaka Aniunoh, njëra nga aktoret, ka thënë se filmi “Ife” ofron një copëz të jetës së përgjithshme të njerëzve që janë në lidhje me të njëjtën gjini.
“E kuptoj nga vijnë. Në Nigeri nuk pranohen dhe bëjnë diçka që ju largon nga shoqëria. Nuk është normë, por them se është jetë e përditshme. E ndiej sikur krejt jeta ime është në ekran. Mirëpo deri më tani kam marrë plot lëvdata”, ka thënë Uzoamaka, e cila në film ka portretizuar rolin e Ifes.
Producentja e filmit, Pamela Adie, ka thënë se “Ife”, që në gjuhën vendëse do të thotë “dashuri”, pritet të publikohet vetëm online me qëllim që të shmangë censurimin nga shteti konservator.
“E di se ka shumë gjasa që të censurohet, sepse këtu ndalohen këso lloje tregimesh ngase filmi nuk thotë se kush ka të drejtë, por mendoj se roli i filmit është që të portretizojë realitetin ashtu siç është”, ka thënë ajo. Bordi i Censurës në Nigeri nuk ka dashur të komentojë në lidhje me publikimin e filmit.