Me përkrahjen e organizatës “Cine Alternativo” dhe producentët e filmit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama shfaq për herë të parë në Amerikën Latine filmin e metrazhit të shkurtër “Shok”.
Në fjalimin e saj para audiencës së filmit, e ngarkuara me pune, Zana Rudi, tha se është nder për Kosovën që filmi “Shok” shfaqet për herë të parë në Amerikën Latine, pikërisht në Panama, vend mik i Kosovës. Rudi shtoi se Panamaja ka hapur dyert e Amerikës Latine për Kosovën dhe ka përkrahur Kosovën ndër vite, për çka Kosova do të jetë përherë mirënjohëse.
Rreth filmit “Shok”, e ngarkuara me punë, Rudi theksoi se me kualitetin e tij dhe nominimin për çmimin Oscar, ky film ka shënuar suksesin më të madh në historinë e filmit kosovar. Para të pranishmëve, Rudi prezantoi storien e filmit, duke dhënë referenca historike të asaj kohe dhe duke përmbyllur me nje sërë faktesh dhe video promovuese përmes të cilave paraqitej transformimi i Kosovës në një shtet të lirë, në paqe dhe me vlera e norma evropiane.
“Sot Kosova është pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar; është në UEFA, FIFA, Komitet Olimpik Ndërkombëtar dhe shumë organizata tjera rajonale e ndërkombëtare”, tha Rudi, sipas së cilës, është arritur me përkushtimin dhe punën e popullit dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe me përkrahjen ndërkombëtare.
Me interesimin dhe pjesëmarrjen e madhe nga publiku panamez dhe trupi diplomatik i akredituar në Panama, ngjarja e organizuar nga Ambasada e Kosovës ishte një mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar dhe për të biseduar për ngjarjet në Kosovë që nga lufta e deri më sot.