“Filozofia është thelbi i jetës”. Glauk Konjufca “zhvesh” petkun e politikanit dhe flet si filozof

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 19:38 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Glauk Konjufca, të enjten, e ka kaluar pothuajse gjithë ditën në Kuvendin e Kosovës, ku sot ka pasur seancë parlamentare.

Por, në mbrëmje, ai ka “zhveshur” petkun e politikanit dhe ka folur si filozof, që është fusha e tij e studimeve.

Konjufca ka qenë mysafir i organizatës ETEA, në një diskutim për filozofinë, organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë.

Ai ka folur, mes tjerash, për librin e tij “Huti i Minervës fluturon në muzg”, të cilin e kishte publikuar më 2012 pas gati pesë vjet studimi të veprës së filozofit gjerman, Georg Wilhelm Hegel.

“Filozofia e vërtetë nuk është kur ndërrojnë përgjigjet, por kur rrënjësisht ndryshon pyetja”, është shprehur Konjufca.

“Filozofia është motra e tragjedisë. Një situatë pa kthim dhe një tronditje e pariparueshme. Filozofia është molla e Adamit. Filozofia është mallkim. Filozofia është dhunë, zhvendosje, dhe mallkim. Filozofia është thelbi i jetës”.

Konjufca sikur ka lënë të kuptohet se “aksidentalisht” është në politikë, sepse është i obsesionuar me filozofinë.

Ai ka treguar se vazhdon të lexojë në fushën e studimeve të tij universitare. “Aktualisht jam duke i lexuar të gjitha tregimet e Dino Buzzatit”.

“Secili e ka rrëfimin personal më individual se si ka ardhur te filozofia. Në filozofi më ka dërguar letërsia… Diku nga mosha 13-vjeçare kam pasë ndjeshmërie të veçantë për ta përjetuar letërsinë”.

Të ngjashme