Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, tha se rrugëtimi i familjes Kelmendi është një karvan i gjatë që do të mbetet emblemë për Kosovën.
“Jemi mbledhur këtu në 20-vjetorin e vrasjes së njeriut të pendës. Rrugëtimi i familjes Kelmendi është një karvan i gjatë që do të mbetët emblemë për Kosovën. Vepra e Kelmendit është vështirë të thuhet ne një fjalë rasti. Bajram Kelmendi së bashku me shokët e tij e ushtruan detyrën më profesionale të mundshme në burgjet e Jugosllavisë. Vrasja e tij nuk është rastësi, ai qysh atëherë ishte i shënjestruar si kokë intelektuale. Dosja e tij qysh prej atëherë ka qenë e hapur dhe në përcjellje për aktivitetet e tij. Kelmendi me qëndrimin, vendosshmërinë ishte i paanshëm , e bëri fuqi në vetë për t’i dalë zot vendit. Bajrami ka qenë, është dhe do të mbetet krenari për Odën e Avokatëve të Kosovës”, ka thënë Havolli.
Ai ka përmendur edhe dialogun duke thënë se duhet të jetë një kusht në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fajtorin e vrasjes së Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij.
“Ekipi negociator duhet ta vejë në detyrim palën serbe se pa treguar se kush i vrau dy djemtë e tij dhe Bajram Kelmendin edhe pse dihet, dhe t’i thotë se pa treguar nuk do të ketë finalizim të dialogut”, tha Kelmendi.
Avokati Hamit Gashi, Kelmendin e ka kujtuar si njeri të aftë në profesionin e tij.
“E di se faktikisht ka qenë një avokat i shkëlqyeshëm, shumë i aftë dhe i përgatitur që nuk kam has akoma të tillë. Asnjëherë nuk ka ardh në shqyrtim i pa përgatitur dhe asnjë gjykim se ka përfunduar pa i cituar dy-tri raste”, tha Gashi, raporton EO.
Bekë Lajqi, avokat në Pejë tha se Bajram Kelmendi ishte ndër avokatët më të guximshëm dhe më i mençuri që kishte Kosova atëherë.
“Kur u nisa nga Peja e luta besimin të ma ruaj një vend, por sot po shohim një realitet krejt tjetër. Bajram Kelmendi ishte ndër avokatët më të dalluar, më i guximshëm, më i mençuri që e kishte Kosova atëherë. Ishte i palodhshëm në punë. Me gjakun e avokatit dhe dy djemve të tij u lanë rrugët e Fushë Kosovës me gjak ashtu si edhe më parë që dëshmojnë edhe dy dekadat e fundit”, tha ai.
Lajqi ka akuzuar pushtetarët për mos korrektësi në udhëheqje duke thënë se po falin toka pa fije turpi.
“Paraardhësit tonë i kanë mbrojtur me gjak dhe pa asnjë dite shkolle trojet tona ndërsa sot pushtetarët tanë po i falin ulur në kolltukët. Duhet të mendojnë për mirëqenien, po që se populli shpërthen edhe njëherë si në vitin 2004”, tha Lajqi.