Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MMPS) njofton se nga 24 deri më 27 prill, në Prishtinë është zhvilluar raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Gjatë këtyre ditëve, palët arritën të finalizojnë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marrëveshjen administrative për implementimin e marrëveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje.
Palët negociatore u pajtuan që marrëveshjet e arritura të përafrohen nga kryesuesit e grupeve të punës në fund të muajit maj në Bernë. Koha prej një muaji do të nevojitet që marrëveshja bazë, marrëveshja administrative, si dhe formularët e dakorduar të përkthehen në gjuhët përkatëse, të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme brenda shteteve përkatëse në mënyrë që të përafrohen në fund të muajit maj.
Pas kësaj do të kërkohet nga qeveritë e të dyja shteteve autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjes.
Në rast të autorizimit pritet që marrëveshja të nënshkruhet nga ministrat përkatës të të dy vendeve gjatë pjesës së dytë të vitit 2017 dhe pastaj të kalojë nëpër procedurat e brendshme të të dy vendeve për ratifikim.