Fitimi i shtetësisë shqiptare nuk do të jetë i lehtë as me ligjin e ri

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 18:22 | Nga Ekonomia Online

Republika e Shqipërisë ka vendosur t’i bëj disa ndryshime ligjore në aspektin e dhënies së shtetësisë shqiptare, por marrja e kësaj shtetësie nga ana e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë nuk do të jetë edhe aq e lehtë, ashtu siç është proklamuar ditëve të fundit. Këtë e thotë shefi i misionit diplomatik të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Në një bisedë për “AktivPress”, ai ka deklaruar se Projektligji për shtetësinë i miratuar me 31 korrik nga Këshilli i ministrave të Shqipërisë, nuk parasheh shtetësi për çdo shqiptar. “Nuk duhet të ketë pritje të mëdha lidhur me këtë projektligj, sepse nuk parasheh shtetësi për çdo shqiptar që jeton jashtë territorit shqiptar. Në fakt ka disa ndryshime pozitive nga ligji i deritanishëm dhe nëse kalon në shtator, atëherë janë disa risi nga të cilat do të përfitojnë grupe të caktuara”, ka thënë Ukshini.

Ai ka bërë të ditur se për këtë projektligj ka zhvilluar një bisedë me zëvendësministren Rovena Voda, me ç’rast është informuar prej saj se ky dokument është me prioritet dhe qysh në sesionin e parë të shtatorit, pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi edhe vetë kryeministri Edi Rama i ka dhënë një shtytje aprovimit të tij.

Projektligji për shtetësinë, sipas diplomatit kosovar ofron tre risi, që konsistojnë në lidhjen me territorin, lidhjen e gjakut dhe heqjen e nënshtetësisë për shkaqet që lidhen me pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Pasaportë shqiptare, siç thotë Ukshini, do të ketë edhe për investitorët në rastet kur Republika e Shqipërisë sheh një interes ekonomik, shkencor, kulturor e sportiv, si dhe kombëtar.

Ukshini ka sqaruar se në konceptin e origjinës, si një nga mënyrat e përfitimit të shtetësisë, është futur lidhja e gjakut deri në tre breza. “Pra, të gjithë ata të huaj që jetojnë jashtë, por që arrijnë të provojnë se kanë një lidhje deri në shkallë të tretë me një person me shtetësi shqiptare, do të mund ta përfitojnë nënshtetësinë shqiptare. Pra, lidhja deri në shkallë të tretë është bërë duke pasur parasysh origjinën dhe jo etninë. Kjo nënkupton që dikush nga Kosova apo vise tjera shqiptare apo edhe në diasporë mund të fitojë shtetësinë shqiptare, nëse arrin të dokumentojë deri në tre breza, p.sh nëse arrin ta vërtetoj se stërgjyshi i tij ka pasur shtetësi shqiptare në periudhën mes dy luftërave botërore apo më vonë”, ka shpjeguar Ukshini.

Ai ka shtjelluar edhe konceptin në lidhje me territorin. “Sipas këtij koncepti, fëmijët e lindur në territorin e Shqipërisë, por me prindër që nuk njihen apo që nuk kanë shtetësi shqiptare, do përfitojnë shtetësinë shqiptare. Dihet se këtë model shteti shqiptar e ka marrë nga vendet tjera, respektivisht është një model amerikan”, ka thënë Ukshini për AktivPress.

Një e veçantë tjetër në Projektligj është ruajtja e interesit të sigurisë kombëtare. Autoritetet shqiptare me projektligjin e ri kanë parashikuar se një personi i hiqet shtetësia nëse vërtetohet se ai është pjesë e grupeve kriminale ose terroriste. Në këtë rast, kjo bëhet me kërkesë të ministrit të Brendshëm.

Marrjen e shtetësisë shqiptare do ta kenë më të lehtë ata që martohen me shtetas/e të Shqipërisë e që jetojnë në këtë shtet së paku një vit. Kjo vlen edhe për kosovarët dhe shqiptarët tjerë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. “Çdo kosovar që është i martuar me një shtetase të Shqipërisë e që mund të dokumentojë se ka jetuar më shumë se një vit në Shqipëri ka të drejtë të aplikojë me shtetësi shqiptare”, ka deklaruar Ukshini. Projektligji i ri parasheh dhe rregullon edhe fitimin e shtetësisë me natyralizim, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor, pasi një gjë e tillë ka munguar më herët.

Projektligji për shtetësinë është hartuar nga Grupi Ndërinstitucional i Punës, i ngritur me urdhër të ministrit të Brendshëm, në të cilin ka pasur përfaqësues të strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Kulturës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme