Të dielën e kaluar në Prishtinë u shfaq panoja e parë me fotografinë e Raheem Sterlingut dhe me shkrimin “Mirë se vjen bro”. Prej atëherë Kosova pësoi nga Çekia dhe mbeti pa u kualifikuar në Evropian. Por “skenari” u realizua, ndonëse ndeshja e së dielës me Anglinë e humbi paksa vlerën për “dardanët”.
Ashtu siç shpresohej, u bë pritje shembullore për Anglinë, për lojtarët e saj e po ashtu edhe për tifozët. Dhe kjo arriti efektin e pritur, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për pritjen e jashtëzakonshme për anglezët kanë raportuar të shtunën e të dielën mediat më të fuqishme angleze, e po ashtu media të fuqishme evropiane e botërore.
Në Kosovë, tifozët e lojtarët anglezë kanë ndier ngrohtësinë e pritjes së përzemërt. Nuk kanë pasur telashe me racizëm apo fyerje, si në Mal të Zi dhe Bullgari. Anglia fitoi 4:0 ndaj Kosovës ndeshjen e fundit të eliminatoreve për “Euro 2020” dhe kështu tifozët e saj kishin arsye për festë. Por festa e tifozëve anglezë ka nisur shumë më herët.
Që të shtunën sheshet kryesore të Prishtinës dhe lokalet në to ishin të mbushura me qindra tifozë të Anglisë, që janë të tubuar në shumë grupe të tyre. Të gjithë janë shprehur falënderues për pritjen që u është bërë, respektin ndaj tyre. Kanë mbushur lokalet dhe janë përgatitur për ndeshje në mënyrë tradicionale të tyre – me birra e ushqime të ndryshme. Kanë folur për çmime të lira, por më shumë për pritjen shembullore.