Futbollistet e Kosovës i kanë mbyllur me sukses dy ndeshjet e para të vitit 2021. Të enjten lojtaret e përzgjedhura nga Afërdita Fazlija fituan 3:1 ndaj Maqedonisë së Veriut, në Shkup. Ndaj rivales së njëjtë, në vendin e njëjtë, Kosova të dielën fitoi 1:0.
Seleksionuesja Fazlija vlerëson lart miqësoret me Maqedoninë e Veriut. Thotë se kur vendet e Ballkanit luajnë mes vete, miqësore nuk ka – ndeshjet e kanë shpirtin garues sikur të jenë kualifikuese.
Prej dy ndeshjeve të forta me Maqedoninë e Veriut, Fazlija sheh shumë përfitime. Ndër të tjera, ka zbuluar dy lojtare të reja që pret të jenë të rëndësishme për Përfaqësuese në të ardhmen.
“Janë ndeshje të suksesshme, pasi kemi luajtur me lojtare të ligës tonë. Përveç nga Mitrovica, ku kemi numër më të madh të lojtareve, ekipet tjera janë përfaqësuar me një apo dy lojtare. Dhe për këtë komponimi i ekipit ishte sfidë. Por u kalua me sukses”, ka thënë Afërdita Fazlija për KOHËN, të dielën.
Ajo ka treguar se ndeshjet nuk ishin të lehta, sidomos ajo e së dielës. Liridona Syla shënoi golin e fitores në minutën e 85-të.
Për dallim nga e kaluara, lojtaret e reja të Kosovës kanë treguar mentalitet fituesi. Kanë shfaqur vetëbesim. Kjo e gëzon Fazlijën, që tregon se në të kaluarën lojtaret e reja ishin të ndrojtura dhe jo gjithnjë e kishin iniciativën që ajo e kërkon prej futbollisteve.
“Ndeshjet ishin vërtet garuese. Nuk e di se çka do të mund të ofronim më shumë, ne apo rivali, në një ndeshje kualifikuese. Kjo ndodh zakonisht kur luajnë mes vete përfaqësueset e vendit të rajonit tonë”.
Era Emërllahu, që është nga Suhareka dhe që luan për Mitrovicën, si dhe Lumbardha Misini e Vizionit të Ferizajt, janë lojtaret që i ka fituar Kosova nga ky grumbullim. Të dyja janë 17-vjeçare dhe me potencial të madh.
“Të dy lojtaret janë të konfirmuara. Realisht problemi i vetëm për to, edhe kur ekipi të jetë i kompletuar, do të jetë përgatitja fizike dhe pak ndoshta përvoja. Por kanë shumë elemente të vlefshme. Kanë vizion, pamje për lojë dhe elemente për t’u bërë të rëndësishme”, ka shtuar Fazlija.
Ajo është në krye të Përfaqësueses prej se Kosova ka nisur me ndeshje zyrtare kualifikuese. Ka ndërtuar grupin aktual, që në përbërje ka edhe shumë lojtare që bëjnë karrierë në vende evropiane.
Afërdita Fazlija është e bindur se grumbullimi në Shkup do të shërbejë shumë për kualifikimet e ardhshme. Ato nuk janë larg.
“Në fund të prillit është shorti për kualifikimet e ardhshme, për Botëror. Në shtator i kemi ndeshjet e para kualifikuese, nëse nuk ka ndonjë ndryshim ndërkohë për shkak të pandemisë. E kemi edhe një termin në qershor për ndeshje miqësore. Planifikojmë të marrim pjesë në një turne në Turqi, ku do t’i luajmë tri ndeshje me përfaqësuese tjera. Presim të grumbullojmë më shumë lojtare dhe t’i japim formë ekipit që do të startojë në kualifikime. Përzgjedhja finale do të jetë në atë turne. Por shumë na hyjnë në punë edhe këto dy ndeshjet me Maqedoninë e Veriut. Na ka shërbyer ky grumbullim edhe për të parë gjendjen e lojtareve të Ligës sonë, pasi ato janë shumë të rëndësishme, ashtu si është vërtetuar deri më tani”, ka theksuar Fazlija.