Partia “Fjala” ka organizuar aksionin simbolik të titulluar “Pampersa për liderët politikë”
Xhevdet Maloku, kryetar i degës në Podujevë dhe anëtarë i kryesisë në partinë Fjala, tha se guximi i Vuçiqit për të folur rreth Ujmanit e Trepçës është pasojë e politikës në vend, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi dalur sot të shprehim shqetësimin tonë për frikën s treguar nga liderët për vizitën e Vuçiqit. Kemi parë që të kapluar nga frika dhe të servilizuar liderët politikë nuk reaguan fare me rastin e vizitës së Vuçiqit madje heshtën dhe të gjithë u zhdukën diku. Vuçiqi, me deklaratat e tij duke konsideruar Ujmanin e Trepçën si pasuri të Serbisë, premtoi shumë investime. Ne kemi dalë këtu që ta denojmë frikën e liderëve politikë ku kemi përgatitur një dhuratë simbolike për liderët politikë duke ju dhuruar nga një pelenë”, u shpreh kryetari Maloku.
Avni Çakmaku, anëtarë i kryesisë në Partinë “Fjala”, ka kritikuar qasjen e politikës në vend për vizitën e Vuçiqit në Kosovë.
“Ne e kemi parë të arsyeshme që këto pelena të ua dhurojmë institucioneve tona sepse të tregohen aq të pafuqishëm institucionet, kjo nuk do koment. Nuk ka arsye Brukseli të insistojë që çdo dëshirë e Serbisë të plotësohet sepse edhe Brukseli në një formë apo tjetër nuk e konsideron Kosovën si shtet institucional”, tha Çakmaku, raporton EO.