“Fjalëkryqi” Rama dhe “ekuacioni” Meta

Prishtinë | 18 Mar 2017 | 11:23 | Nga

Të gjithë presin fjalën e kryeministrit Edi Rama. A do futemi në zgjedhje me opozitën?- është pyetja që shtrohet. Nëse futet opozita në zgjedhje do të thotë se kemi qeveri teknike. Që të kemi qeveri teknike zgjedhore duhet që Edi Rama të jap dorëheqjen. Edi Rama dje nga Shkodra tha: “Një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 qershor”. Por që të thotë pikërisht këtë Edi Rama nuk ka asnjë sens, ndërkohë që me 18 qershor opozita nuk hyn në zgjedhje, por as lejon zgjedhje.

Pra Rama e ka diçka në kokë, por që pak veta e dinë, ose më saktë asnjë nuk e di. Ai duhet zbërthyer si një fjalëkryq, por ky “fjalëkryq” ka edhe shumë ekuacione variabël, që duhen edhe pak ditë dhe durim për t’u zbërthyer. Gjithsesi nisur nga logjika e këtyre 26 viteve pluralizëm, si dhe nga pozicioni ku ndodhet Rama si personi që duhet të mbajë përgjegjësinë e dështimit të zgjedhjeve, pavarësisht se një pjesë faji e ka edhe opozita, e cila heshti për katër vite për Kodin Zgjedhor, bile disa herë në bashkëpronësi me PS e sabotuan, atëherë togfjalëshi në Shkodër se “Një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 qershor”, duhet zbërthyer tamam si fjalëkryq politik. Nuk e ka thënë pa qëllim pikërisht këtë togfjalësh.

Edi Rama është kryeministër, kryetar i PS-së dhe ka një barrë eksperiencë mbi supe. Ai e di më mirë se kushdo se çfarë i kanë thënë ambasadorët e BE dje te vila 30, ai e di mirë se nuk ka stabilitet pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, ai e di mirë se pa LSI merr një dështim total dhe e dorëzon pushtetin, ai e di mjaft mirë se opozita do të krijojë prapë pengesa që zgjedhjet të mos bëhen me 18 qershor, edhe pasi të jap dorëheqjen këto ditë, ai e di mirë se sa me shumë të shtyhen zgjedhjet pas 18 qershorit, PS-ja shkon në të poshtë.

Ndaj Edi Rama e ka theksuar togfjalëshin se “Një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 qershor”. Me këtë ai ka pranuar se do jap dorëheqjen, pasi nuk ka se si të zhvillohen me 18 qershor pa opozitën. Opozita ka thënë se do qeveri teknike që të futen në zgjedhje dhe ja një pjesë e “fjalëkryqit” Rama del qartë: Unë po jap dorëheqjen. Por mes fjalëve ai ka lëshuar edhe presionin, që në këtë rast duket normal: Vetëm me 18 qershor dhe asnjë ditë shtyrje afati.

Pjesa për dorëheqje dhe qeveri teknike zbërthehet. Por ekuacioni me shumë të panjohura për fjalëkryqin, pasi edhe vetë Rama nuk e di, mbetet LSI. Nëse e jep dorëheqjen këto ditë dhe më pas ka gjithë të drejtën e Zotit të thotë se me 18 qershor duhen të zhvillohen me patjetër zgjedhjet, prapë dilemma e fjalëkryqit është Ilir Meta. Logjikisht dhe parimisht LSI duhet të përfundojë me 1 prill kontratën e 1 prillit 2013 dhe të nesërmen, pa vonësë, duhet të firmosë me kontratën e re të koalicionit me PS. Natyrisht me kushte të reja dhe të negociueshme. Por këtë pjesë ekuacioni metist nuk e zbërthen vetë Edi Rama e jo më të tjerët që mund të pretendojnë se njohin fjalëkryqin politik.

Ndaj Edi Rama dje nga Shkodra foli jo vetëm për PD, por kryesisht për LSI. Nëse Ilir Meta e firmos koalicionin nesër, të pasnesërmen Edi Rama jep dorëheqjen dhe ruan stabilitetin e vendit. Edhe Rama këtu jeton, edhe ai këtu ka familjen e tij, edhe ai qytetar i Republikës është dhe nuk do një Shqipëri në luftë dhe në konflikt politik e në destabilitet.

Ai e di mirë se nëse pëlcet sherri as taksisti i mesnatës nuk i shkon më!

Tashmë opozita duhet të mos shtojë artifica të tjera duke kaluar cakun e së drejtës për zgjedhje të lira. Qeveria Teknike po vjen, Rama si kryeministër po ikën. Zgjedhjet janë me 18 qershor dhe atë ditë duhet të zhvillohen nëse ekziston dëshira e sinqertë e opozitës për zgjedhje. Nëse ka plane të tjera atëhere duhet menduar për të rinxjerrë nga sirtarët e Parlamentit Ligjin e Gjendjes së Jashtëzakonshme të marsit 1997.

Por kjo është katrahurë, është turp, edhe shkatërrim. Ndaj Rama ikën vetë, qeveria teknike ngrihet urgjent në bashkëpunim dhe zgjedhjet të pranohen me 19 qershor. Ndryshe partia që nuk i pranon nuk është shqiptare.

(Shkruan: Spiten Prulli)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme