Pas 22 vitesh, Arsenali është bërë me trajner të ri.
Unai Emery do të jetë pasuesi i Arsene Wengerit, pasi u konfirmua sot në krye të klubit nga Londra.
Emery, që këtë sezon e fitoi tripletën me Paris Saint-Germain, ka finalizuar sot marrëvehshjen me klubin nga ‘Emirates’.
Spanjolli 46-vjeçar tha se “është i entuziazmuar që ka nënshkruar me një prej klubeve më të mëdha në futboll”.
“Arsenali njihet dhe pëlqehet në gjithë botën për stilin e lojës, përkushtimit ndaj lojtarëve të rinj, stadiumit fantastik, dhe mënyra se si klubi drejtohet. Jam i eksituar që më është dhënë përgjegjësia për të filluar këtë kapitull të ri në historinë e Arsenalit”, ishin fjalët e para të Emery, transmeton Insporti.
“Mezi pres t’i dhuroj të gjithë atyre që e duan Arsenalin momente dhe kutime të veçanta, dhe jam i eksituar për gjërat që mund të bëjmë bashkë”, tha Emery.
Emery kishte filluar karrierën e tij si trajner te Lorca Deportiva në vitin 2005, pasi shumicën e karrierës së luajtur e kishte kaluar në ligën e dytë spanjolle.
Ai më pas u bë trajner te Almeria, Valencia dhe Spartaku i Moskës, para se të merrte drejtimin te dy ekipet e mëdha evropiane, Sevilla e më pas Paris Saint-Germain.