Në vazhdim do të botohen fjalimet e Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman gjatë kohës sa ishte deputet ne Mexhlisin/Parlamentin Turk në periudhën 1908-1912. Aty shihet angazhimi i tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Përmes këtyre fjalimeve, për herë të pare, publiku i gjerë mund të shohë se Hasan Prishtina luftoi si luan për të drejtat e shqiptarëve. Një politikan model prej deputeti qe edhe sot e kësaj dite mund të merret shembull se si përfaqësohen të drejtat e elektoratit në parlament, dhe shumë deputetë sot kane rastin te mësojnë shumë nga retorika, dija dhe guximi i tij intelektual e personal.
Dokumentet se shpejti do t’i gjejmë edhe të botuara në një përmbledhje në disa vëllime librash, shumica prej të cilave po dalin tani për herë të parë në dritë.
Këto aktivitete si edhe shumë të tjera po realizohen nga Fondacioni “Hasan Prishtina” në kuadër të 150-vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes së Hasan Prishtinës.
Fondacioni “Hasan Prishtina” u themelua nga Mehmet Prishtina dhe është një organizim joqeveritar, jofitimprurës, i pavarur dhe është i përkushtuar në realizimin e disa qëllimeve, siç janë: promovimi dhe ngritja e çështjeve të trashëgimisë kombëtare historike dhe kulturore, vetëdijesimi i opinionit të gjerë me të kaluarën tonë të pasur të trashëgimisë kombëtare historike dhe kulturore etj.
Fjalimi i Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman, lidhur me situatën politike dhe represionin e politikës xhonturke ndaj shqiptarëve
Stamboll, më 07.dhjetor.1910
… Zoti Kryeministër ngjarjet në Shqipëri i shpjegoj si diçka që ishin si pasojë e injorancës së shqiptarëve dhe i nxitjes nga ana e disa krerëve.
Por mendoj se ai do ti kishte shërbyer më mirë së vërtetës në qoftë se si fajtore në lindjen e këtyre ngjarjeve të mos kishte bërë injorancën e shqiptareve, por metodat e këqija të administratës shtetërore. Sepse ne i qemë drejtuar atij [Kryeministrit] shumë kohë përpara së të ndodhnin këto ngjarje dhe i patëm thënë se në Shqipëri po vepronin me të gjithë forcën e tyre shtypja dhe dhuna.
Ligji mbi “bandat” dhe metodat e rrepta dhe jashtë çdo logjike të komisioneve të informacionit i kishte dëshpëruar në kulm shqiptarët. I patëm thëne së po të ishte së ai dyshonte në vërtitësin e thënieve tona, atëherë të dërgohet një komision hetimor i paanshëm. Ne nuk mundnim të mos e bënim një propozim të këtillë. Mirëpo mjerisht lutjet tona as që u morën parasysh. Madje, në atë kohë në Gjakovë u mbajt një miting në të cilin morën pjesë 20 mijë veta. Puna e parë që bënë ata [ ] kur hynë në Gjakovë, qe thyerja e vulës së komitetit “Bashkim e përparim”…
… nga ana tjetër [ ] ata thoshin … vuajtjet tona janë të shumta, duam të dërgohet një komision parlamentar!
Sikur të ishte dërguar një komision siç patëm propozuar ne, nuk do të ishte derdhur gjak i mijëra bashkatdhetarëve tanë, Nuk do të ishin rrafshuar për tokë me mijëra shtëpi dhe nuk do të kishin rënë në mjerim me mijëra njerëz.
Zotërinj e di se ngjarjet filluan më parë në Sanxhakun e Prishtinës. Po mos e pandehni këtë një sanxhak dokudo. Vetëm batalione të klasës së dytë ai jep 22, pa futur këtu, zotërinje, regjimentin e klasës së parë të redifëve. Po të dyshoni në këto që po u them, ja ku është Ministri i luftës Mahmud Shefqet Pasha. Tashti bëjeni hesap vetë se sa ushtarë behën. Vetëm sanxhaku i Prishtinës jep 30.000 ushtarë, ai i jep këtij shteti të dhjet, i jep bagëti… është po sanxhaku i Prishtinës ai që dha 1000 dëshmorë në luftën e famshme të Plevnes e cila zë sot një nga faqet me të lavdishme të historisë së kombit tonë. Nuk e di, politik apo krim është kjo që po u bëhet bashkatdhetarëve tanë, kundrejt të cilëve po ushtrohet dhuna më e egër.
Nuk dua të përmend këtu numrin e shqiptarëve të rrahur e të persekutuar, ashtu siç bëjnë koleget e mi grek e bullgarë, të cilët dhanë shifra për bashkëkombësit e rrahur e të persekutuar sepse numri i shqiptarëve të rrahur e të torturuar arrin në mijëra vetë. Vetëm duhet të theksoj se shqiptarët, që nga koha që janë quajtur të këtillë, nuk kanë hequr vuajtje si po heqin tani.
Zoti Kryeministër tha se gjatë operacioneve të mëdha ushtarake vetëm dhjetë veta u varen. Më mirë të ishin varur 1700 veta sesa u morë nëpër këmbë dinjiteti i mijëra shqiptareve. Ketë e them zotërinj, kure mendoj diçka tjetër.
Zoti Kryeministër është Kryetar i Këshillit të Ministrave, duhet t’u kushtoj vëmendje të veçantë çështjeve më të mprehta politike. … Nuk dua të zgjatëm më shumë këtu. Vetëm se Kryeministri tha më shumë mburrje se në Shqipëri janë bërë reforma, janë hapur shkolla, janë ndërtuar rrugë e ku ta di unë se çfarë të tjerash. Ndoshta ai këtu ka lajthitur me qëllim ose pa qëllim. Sidoqoftë, unë dua të provoj se ai është i gabuar.
Dëgjojmë të flitet se vrasjet në Shqipëri kane marrë fund…mirëpo që nga koha e operacioneve ushtarake dhe gjerë më sot janë bërë lartë nga 20 vrasje.
Zotërinj, edhe sikur të pranoj se vrasjet, siç tha [Kryeministri], janë kufizuar deri dikund, të jeni të sigurt se kjo më shumë se sa si pasojë e reformave ka ardhur nga fakti, se Shqiptarët që bijn në gjaqe i ruhen shumë njëri-tjetrit.
Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe. Prandaj e kam për detyrë që ti vë në dukje këto fakte nga kjo tribunë…
Zoti Kryeministër le t’i marrë si të dojë.
Unë nuk e bëj veten time që të më dënojë ndërgjegjja. Bota le të thotë çfarë të dojë. Nuk kam asnjë armiqësi vetjake kundër kabinetit.
Nuk kërkoj asnjë pozitë.. megjithatë mendoj se në qoftë se një Kabinet, cilido qoftë ky, qe vjen në fuqi, nuk heq dorë nga kjo politik dhune e terrori, dhe në qoftë se nuk pranon si vijë politike, atë të bërjes për vete të popullit dhe të krijimit të kënaqësisë së përgjithshme, atëherë ai nuk ndjek një vijë veprimi që përputhet me interesat e atdheut.
Meqenëse përpjekjet e mija janë përqendruar të gjitha në këtë fakt, e quaj si detyrë që ta përsëris vazhdimisht këtë.
Të vijmë të çështja e arsimit.
Zoti kryeministër tha se në Kosovë janë ndërtuar shkolla, është bërë kjo dhe ajo punë… Mirëpo unë nga Kosova po vij, zotërinj.
Përveç shndërrimit të Idadies që ndodhët në qendër të vilajetit në Lice dhe ndërtimit të një normaleje, tjetër gjë nuk pash. Vetëm në Prishtinë ishin ndërtuar dy shkolla me ndihmën e popullit. Edhe në Gjilan po ndërtohen disa shkolla jo aq si pasoje e zellit të nënprefektit sesa si pasojë e protestave të popullit. Madje mundë të sjell si dëshmitarë edhe një nga kolegët e mi të nderuar.
Në Ferizaj nënprefektit deshi të tregonte një heroizëm të jashtëzakonshëm. Shembi shkollat ekzistuese, sepse nuk paskëshin qenë higjenike. Zotëri dine se kurë do të ndërtohen të reja. A nuk është kështu Shaban Pasha ?
AIH, A-IV-150, vëllimi i parë, f.302-305