Flamuri i Kosovës në stadiumin “Akhmat-Arena” në Grozny të Çeçenisë është bërë çështje politike në Rusi. Flamuri i Kosovës ishte vendosur në stadiumin e skuadrës Akhmat Grozny, pasi mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Berisha, i ishte bashkuar kësaj skuadre në fund të vitit 2016.
Për flamurin e Kosovës, që ishte i vendosur në një pjesë të kulmit të tribunave krahas flamujve të tjerë shtetërorë, ka reaguar ambasadori i Serbisë në Rusi, dhe reagimi i tij solli valë reagimesh të autoriteteve ruse, shkruan “Koha Ditore”.
Ambasadori serb kërkoi që flamuri i Kosovës të largohej nga stadiumi dhe kjo është raportuar të ketë ndodhur të premten.
Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe simbolet e saj. Ajo në fakt përkrah politikën e Serbisë, vlerësohet aleate e saj dhe ka kundërshtuar vazhdimisht pavarësinë e Kosovës. Por në stadiumin e kryeqendrës së Republikës së Çeçenisë për shumë kohë ishte i shpalosur flamuri i Kosovës, në bazë të një vendimi të klubit Akhmat Grozny, që në “Akhmat-Arena” të shfaqen flamujt e shteteve prej nga vijnë lojtarët e kësaj skuadre.