Në tetor të vitit 2017, sulmuesi Flamur Kastrati ishte për herë të fundit pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Ishte ndeshja e fundit eliminatore për botërorin “Rusia 2018”.
Kosova e humbi atë ndeshje të luajtur në Reykjavik ndaj Islandës (2:0), e Kastrati nuk e fitoi rastin të luajë. Katër ditë më herët, ishte aktivizuar në shtatë minutat e fundit të ndeshjes kundër Ukrainës, të luajtur në Shkodër dhe të cilën Kosova po ashtu e humbi 2:0, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjithsej ka 16 minuta lojë me fanellën e Kosovës prej vitit 2014, kur u ftua për herë të parë. Pesë minuta i ka luajtur në miqësoren ndaj Ishujve Faroe në qershor të vitit 2016, duel që Kosova e fitoi 2:0 dhe katër minuta të tjerë në ndeshjen e parë të “dardanëve” pas lejes së dhënë nga FIFA, atë ndaj Haitit (0:0) në mars 2014 në Mitrovicë.
Kastrati është ftuar sërish. Tash për ndeshjen miqësore me Suedinë që luhet më 12 mars në Doha të Katarit dhe ai shpreson se ky është rasti i tij për më shumë minuta.