Flamuri i Kosovës edhe pse përbuzet valëvitet nëpër botë

Prishtinë | 17 Shk 2017 | 12:41 | Nga

Të gjithë i shohim simbolet e shtetit të Kosovës, i vlerësojmë ashtu siç janë e ashtu siç duken. Por shumë pak na shkon mendja se kush janë personat që hartuan simbolet e Kosovës.

Detyra e tij ishte që më 17 shkurt të vitit 2008 të kishte të gatshëm simbolin më të rëndësishëm të shtetit. I fituar në konkurs, dizajni i tij, Muhamer Ibrahimi do të vinte në pah simbolin, flamurin shtetëror para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai para vetës kishte një detyrë të rëndësishme e që do të kujtohet me breza të tërë puna e tij.

Në një rrëfim dhënë Gazetës Monitor me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë, Muhamer Ibrahimi ka treguar momentet më të rëndësishme të dizajnimit të flamurit të Kosovës.

Ai tregon se ndonëse Kosova po mbushë 9 vite Pavarësi, ka ende mangësi shteti. Ibrahimi thotë se Pavarësia e vendit u arrit me shumë sakrifica dhe punë të mundimshme por që sipas tij në disa aspekte, vendi ka ngecur. Në rrëfimin e tij, Ibrahimi tregon për krenarinë që ka ai për simbolin më të rëndësishëm të Kosovës, ai po ashtu flet edhe për emocionet që ka pasur gjatë përzgjedhjes së dizajnit të tij për flamur.

Krenar e bën Ibrahimin, momentet kur flamuri i Kosovës valëvitet në arenën ndërkombëtare sidomos në përfaqësimin e shtetit në fusha të ndryshme si në sport ashtu edhe në kulturë e politikë.

” Këtë vit po bëhen 9 vjet nga shpallja e Pavarësisë dhe disa vjet që Kosova është e lirë. Kjo e arritur është sakrifice e punë e mundimshme e shumë brezave. Them të drejtën në shumë aspekte vendi ynë lë shumë për të dëshiruar. Në vitet e fundit në shumë aspekte ka shënuar ngecje. Përveç sukseseve në sport e kulturë që është punë e vullnet i çeliktë i individëve, në aspektin politik, ekonomik e social personalisht kam pritur që të ecim shumë më përpara pas shpalljes së pavarësisë”, thotë Ibrahimi duke shtuar se ka pritur të letë të njëjtin vullnet si vitin kur është shpallur pavarësia e Republikës. “Me fjalë tjera pritshmëritë për Republikën tonë kanë qenë shumë më të mëdha”, thotë ai.

Si dizajnues i flamurit, Ibrahimi në rrëfimin e tij tregon se puna e tij kur ka të bëjë me vendin, ai ndihet i veçantë.

“Si dizajnues i flamurit siç e kam cekur disa edhe më herët ndjehem gjithmonë krenar. Padyshim se si krijues/dizajner fitorja në kompeticion të këtij formati është arritje kulmore për një artist. Kur kjo ka të bëj me vendi tim më bën edhe më shumë krenar”, tregon Ibrahimi.

I pakënaqur me mbështetjen e flamurit

Muhamer Ibrahimi e kishte pasur të qartë se jo të gjithë do ta duan krijimin e tij që më vonë u bë flamuri i shtetit. Mirëpo, asnjëherë nuk e kishte çuar nëpër mend se ndaj simbolit kryesor të shtetit do të nisë fushata përqeshëse dhe dashakeqe nga individë e madje edhe parti politike.

Ai thotë se nuk është gjë e mirë kur sheh që ka parti në Kosovë të cilët jo që nuk e respektojnë, mirëpo edhe e nënçmojmë flamurin e shtetit.

”Këtu nuk do të komentoja shumë, mirëpo, mund të them se partitë e minoritetit serb nuk do ta mbështetnin as këtë flamur as ndonjë tjetër që do ta paraqet Republikën e Kosovës, kjo ka qenë e pritshme, por se do të ketë parti shqiptare që nuk do ta mbështetnin madje edhe do ta refuzonin apo do ta përbuznin kjo nuk do shumë koment. Ky është simboli i vendit tonë dhe duhet ta mbështesin ashtu si duhet të mbështetet Republika, mirëpo besoj se me kalimin e kohës do të jetojnë me realitetin dhe do të mësohen se vendi ynë tani më është Republikë dhe si i tillë ka simbolet e veta dhe duhet ti mbështesin pa rezervë”, rrëfen Ibrahimi, shkruan Gazeta Monitor.

Krenar me valëvitjen e flamurit nëpër botë

Në rrëfimin e tij Ibrahimi tutje tregon se një ndër momentet që kanë bërë më krenar është ngritja e flamurit fitimtar në Garat e Rios, pranimi i vendit në FIFA dhe UEFA ku është ngritur flamuri. Pra këto janë momentet më të lumtura të Ibrahimit i cili shton se është ndier i emocionuar kur flamuri i Kosovës është valëvitur si triumfues.

Fatin e njëjtë si të Marigonës që qëndisi flamurin e Shqipërisë

Për fund, Ibrahimi, shpreson ta ketë fatin e njëjtë si të Marigonës që qëndisi flamurin e Shqipërisë e që për të u shkrua një histori e tërë.

Ai beson se emri i tij do të jetojë së bashku me shtetin e Kosovës.

” Tani më veç kanë kaluar 9 vjet dhe është shkruar. Besoj se do të shkruhet së bashku me historinë e re të Republikës edhe për simbolet e vendit. Ne tani e jetojmë këtë periudhë të kohës ndërsa brezat që vijnë do të lexojnë historinë sikur se në historinë e Marigonës. E kam pas fatin të jem fitues i konkursit dhe me kohën tani më kjo po shndërrohet në histori”, përfundon rrëfimin e tij Muhamer Ibrahimi, hartuesi i flamurit të Kosovës.

SONY DSC
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme