Flesh për Fantazi

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 14:27 | Nga Kimete Berisha

(Drejtësia duman: seminar shpirtëror për të pamoralshmit)

Altin Dumani është ftuar në Kosovë për t’i trajnuar prokurorët: t’ua heqë frikën nga bosët e krimit.

Por problemi nuk është frika.

Problemi është dashuria për krimin.

Prokurorët e Kosovës nuk kanë frikë nga nëntoka… kanë marrëdhënie për qejfi. Kanë lidhje interesi, lidhje miqësore, lidhje shpirtërore me nëntokën dhe me krimin.

Ambasada Britanike e ka ftuar Dumanin për t’i trajnuar moralisht prokurorët.

Në këtë harxh, ndoshta Dumani do të duhej ta trajnonte edhe vetë Ambasadën Britanike, e cila prej vitesh pretendon se “po e bën” drejtësinë në Kosovë, ndërkohë që merret me politikë ditore, me fjalor diplomatik.

Veçoria e Dumanit nuk është profesionalizmi… atë e kanë edhe librat. Supozohet se është morali i eksportueshëm nga Shqipëria.

Ne s’arritëm të importojmë patate nga Shqipëria, por po importojmë moral.

Një moral që udhëton, ligjëron, predikon.

Por që nuk arreston.

Por si trajnohet moralisht një prokuror?

Prokurorët e Kosovës nuk i trajnon morali.

I trajnon vetëm shkarkimi dhe arrestimi. Frika, pra. Jo ligjërata.

Në Shqipëri, politika e ka ndërtuar Dumanin si figurë fetare.

Si hoxhë modern që me lutje ua heq frikën prokurorëve.

Si prift laik që u bën ekzorcizëm, ua nxjerr demonët nga xhepat.

Si një fantazmë e buzëqeshur, shpirtmirë.

Por bash kur duhet të veprojë, Dumanit i jepet një mandat qesharak:

hajt tash, ligjëro për moralin.

Drejtësia në Shqipëri nuk është çliruar nga krimi… është menaxhuar.

Selektivisht.

Ky kriminel – i papërshtatshëm.

Ky tjetri – i pranueshëm për momentin.

Jo Dumani, por s’ka bir nëne që e shpëton drejtësinë shqiptare nga krimi, për sa kohë krimi është strukturë pushteti.

Të pamoralshmit nuk trajnohen moralisht.

Këtë e di edhe Ambasada Britanike.

Por kaq fantazi ka… dhe duhet të duket sikur “po bën diçka”.

Dhe më e lira është fantazia se një seminar mund ta zëvendësojë drejtësinë.

Në Kosovë, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

A ke diçka për të thënë, Ambasador?

Kosova është kriminale sepse drejtësia është kriminale:

ka fshehur krime, ka zhdukur gjurmë, ka arkivuar vrasje politike si dokumente pa rëndësi.

Asnjë vrasje politike nuk e ka ndriçuar.

Ajo që i duhet këtij vendi nuk janë ligjërata morale, por disiplinë brutale institucionale.

Jo tregime heroike se si nuk u frikësove nga Ilir Meta apo Erion Veliaj.

E kush u frikësua?

Dumani ka krijuar një Drejtësi-Sekt:

me besimtarë,

me dogma,

dhe me të përzgjedhur për shpëtim.

Frika këtu nuk vjen nga kriminelët.

Vjen nga drejtësia që është qerdhe e kriminelëve.

P.S.

Shqiptarët mund të mburren vetëm si bombëhedhës të dashurisë.

Aty s’ia huqin.

AUTOKRITIKË

Pse mos të jetë ky shkrimi yt i fundit politik?

Të ngjashme