Flet avokati i Nasim Haradinajt: Dhomat e Specializuara nuk po dëgjojnë asnjë rast për agresionin serb

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Më 18 maj të këtij viti, Dhomat e Specializuara në Hagë i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka deklaruar për Demokracia.com se është i zhgënjyer me dënimin e klientit të tij.

“Meqenëse çështja mbetet në gjykatë, nuk mund të komentoj për specifikat e çështjes. Mund të konfirmoj se ishim shumë të zhgënjyer me vendimin dhe konsiderojmë se dënimi ishte dukshëm i tepruar dhe do të apelojmë”, ka deklaruar Cadman për Demokracia.com.

Avokati i Nasim Haradinajt është shprehur se ky është vendimi i parë i dhënë nga Dhomat e Specializuara dhe siç theksoi ekipi mbrojtës në parashtrimet përmbyllëse në gjykatë, kjo është një çështje e rëndësishme dhe ka një interesim të madh për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Vlerësoj se ka një interesim të madh për Dhomat e Specializuara të Kosovës në përgjithësi, si dhe për rastin e z. Nasim Haradinaj në veçanti. Është vendimi i parë i dhënë nga Dhomat e Specializuara dhe siç theksoi ekipi ynë mbrojtës në parashtrimet tona përmbyllëse në gjykatë, kjo është një çështje e rëndësishme, ndoshta çështja më e rëndësishme, pasi do të përcaktojë mandatin e Dhomave të Specializuara dhe angazhimin e saj, në një proces që synon të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë për viktimat e luftës çlirimtare”, ka deklaruar Cadman.

Ai shtoi se është për keqardhje që Dhomat e Specializuara nuk po dëgjojnë asnjë rast për agresionin serb.

“Është thellësisht për keqardhje që Dhomat e Specializuara nuk do të dëgjojnë për asnjë rast të agresionit serb, pasi që është kritike që të gjitha viktimat të shohin drejtësi. Është po aq për të ardhur keq, që pavarësisht se është themeluar sipas ligjit nacional si institucion nacional, institucioni i përbashkët ndodhet në Hagë me staf tërësisht ndërkombëtar dhe nuk po kontribuon në zhvillimin shumë të nevojshëm të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë”, tha ai për Demokracia.com.

Paraqitja e arsyeve të ankesës bëhet më 17 qershor dhe përmbledhja e plotë e ankesës do të dorëzohet 60 ditë pas kësaj

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, pret që ankesa të jetë e suksesshme pasi që nuk konsideron se prokuroria ka paraqitur prova të mjaftueshme për ta dënuar Haradinajn.

“Afati i fundit për paraqitjen e arsyeve të ankesës është 17 qershor 2022 dhe përmbledhja e plotë e ankesës do të dorëzohet 60 ditë pas kësaj. Si avokat, duhet të kem besim dhe vetësigurim tek institucionet gjyqësore dhe tek integriteti i procesit. Prandaj, presim që ankesa të jetë e suksesshme pasi që nuk konsiderojmë se prokuroria ka paraqitur prova të mjaftueshme për ta dënuar z. Haradinaj për ndonjërën nga akuzat përtej dyshimit të arsyeshëm dhe konsiderojmë se ka pasur të meta të rëndësishme në procedurë për ta bërë dënimin të pasigurt”, shtoi ai.

I pyetur se si avokat mbrojtës cili mendon se do të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit, Cadman ka deklaruar se nuk e dinë saktësisht se kur do të shqyrtohet ankesa, por e parashikojnë një vendim para fundit të këtij viti.

“Ne konsiderojmë më tej se nuk kishte bazë të duhur për të shqiptuar një dënim kaq të tepruar, dënimin më të ashpër të dhënë në ndonjë rast pengimi te drejtësisë deri më sot. Ne nuk jemi në gjendje të dimë saktësisht se kur do të shqyrtohet ankesa, por parashikojmë një vendim para fundit të vitit”, ka shtuar avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

Avokati Cadaman për Demokracia.com ka thënë se kanë bërë ankesë pranë Grupit Punues të OKB-së për Paraburgimin Arbitrar dhe pranë Raportuesit Special të OKB-së për Pavarësinë e Gjyqtarëve.

“Për sa i përket veprimeve të mëtejshme, ne kemi bërë gjithashtu një ankesë pranë Grupit Punues të OKB-së për Paraburgimin Arbitrar dhe Raportuesit Special të OKB-së për Pavarësinë e Gjyqtarëve dhe presim një vendim pozitiv sa më shpejt”, ka deklaruar Cadman.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020, shkruan Demokracia.com.

Gjykimi i tyre filloi më 7 tetor 2021, ndërsa procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet nga avokatët e të dënuarve.

Përpos Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, në paraburgim në Hagë po vazhdojnë të qëndrojnë ende krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa e Pjetër Shala.

Të ngjashme