Yasemin Karabina, gruaja e Yusuf Karabina, zëvendësdrejtorit të Kolegjit “Mehmet Akif”, ka thënë se burri i saj është arrestuar sot tek “Kryqi i Lipjanit” pa fletëarrest dhe se ai është maltretuar se bashku me djalin e tyre.
“Kanë qenë dy policë me uniforma të Policisë së Kosovës – prapa këtij veprimi qëndron presidenti turk Rexhep Taip Erdogan – kinse se ne jemi simpatizantë të Fetullah Gulenit”.
“Unë nuk e di për çfarë është arrestuar burri im, ne jetojmë që shtatë vjet në Kosovë në arsim”.
Në mëngjesin e hershëm janë arrestuar drejtuesit e institucioneve shkollore turke në Kosovë, të identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulenit dhe kundërshtues të politikës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Të njëjtit janë krerët dhe profesorët e “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif”.
Drejtori Gjeneral i këtij institucioni, Mustafa Erden është arrestuar gjatë rrugës sa ishte duke shkuar në punë, dhe sipas informacioneve nga ky institucion arrestimi është realizuar në prani të familjarëve të tij.
Në një situatë pothuajse të ngjashme është arrestuar edhe zëvendësdrejtori, Yusuf Karabima.
Në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.
Këta të fundit janë marrë nga policia nga objekti shkollor.