Flet vëllai i 31 vjeçares nga Podujeva që la 4 fëmijë dhe u zhduk

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Tash e tri ditë familja e Egzona B., nga Komuna e Podujevës po presin me ankth një thirrje nga ajo ose nga kushdo që mund t’i njoftojë për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të saj.

Vëllai i saj tha për Sinjalin se Egzona jetonte bashkë me katër fëmijët e saj (më i madhi 12 vjeç) në shtëpinë e burrit të saj, i cili ka ndërruar jetë para 3 vitesh.

Ai tha se Egzona nuk ishte ankuar asnjëherë që ka pasur mosmarrëveshje ose diçka të tillë me familjarët e bashkëshortit të ndjerë.

Ajo kishte kishte shkuar për të festuar Vitin e Ri te familja e saj në Podujevë dhe ishte larguar nga aty, pa e njoftuar askënd, pas mesnatës së 2 janarit, rreth orës 01:45.

“Po, fëmijët i ka lënë te unë. Fëmijët nuk janë të vogël, 12 vjeç e teposhtë. Ajo ka jetuar në shtëpi te burri, burri i ka vdekë para 3 vjete. Po, nuk ka pasur kurrëfarë paralajmërimi as kurgjo, qysh jemi kanë, që kemi festu, masi që kemi shku me flejtë ka dalë prej shpisë.”

Vëllai i saj lutet që ajo të jetë mirë me shëndet dhe që të lajmërohet sa më shpejt.

“Neve nuk na ka treguar (nëse ka pasur problem me dikë në familjen e burrit), por qëllimet i din ajo. Na vetëm i lutemi Zotit që ajo është mirë, ajo pastaj na tregon çdo sen”,tha ai për Sinjalin.

Ai ka apeluar që të gjithë ata që kanë informacione për Egzonën, ta lajmërojnë në numrin kontaktues 044 136 005.

news image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme