Pas fitores së Bayernit ndaj Wolfsburgut të shtunën, kryesuesi dhe CEO i klubit, Karl-Heinz Rummenigge, drejtori sportiv Hasan Salihamigjiq dhe kryetrajneri Hansi Flick mbajtën një takim të paracaktuar.
Me këtë rast, Bayerni dhe Flick u pajtuan që ky i fundit të mbetet në postin e kryetrajnerit në ekipin gjerman së paku deri në fund të sezonit aktual.
Rummenigge tha se janë të kënaqur me punën e Hansi Flickut.
“Nën drejtimin e tij, zhvillimi i skuadrës ka qenë i jashtëzakonshëm, si në aspektin e cilësisë së lojë ashtu edhe në rezultate. Kemi vendosur rekord në historinë 28 vjeçare të Ligës së Kampionëve duke përfunduar gjashtë ndeshje me gjashtë fitore në fazën e grupeve, dhe në Bundesligë i jemi afruar kreut të tabelës. Jam i bindur se FC Bayerni do të vazhdojë vitin e ardhshëm aty ku e lamë këto ndeshjet e fundit, që do të thotë të vazhdojë të luajë futboll tërheqës dhe futboll të suksesshëm”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
Edhe Hasan Salihamigjiq u shpreh i lumtur që Flick do të vazhdojë të drejtojë klubin deri në fund të sezonit.
Ndërkaq, Hansi Flick tha të jetë i lumtur që do të vazhdojë të udhëheq skuadrën gjermane, duke thënë se do të punojnë që të fitojnë sa më shumë tituj.
“Ndiej kënaqi të punoj me ekipin dhe me ekipin e trajnerëve. Kemi arritur një pozitë të mirë në pjesën e dytë të sezonit në Bundesligë, në Kupë dhe në Ligën e Kampionëve. Tani po i rimbushim bateritë dhe do të përgatitemi intensivisht për pjesën e dytë të sezonit. Atëherë do të tentojmë të arrijmë sa më shumë fitore e tituj që të jetë e mundur”, deklaroi Flick.
Kujtojmë se më 3 nëntor të këtij viti, Bayerni njoftoi zyrtarisht për shkarkimin e trajnerit kroat, Niko Kovaç.
Kovaç ishte emëruar si kryetrajner i Bayernit në prill të vitit 2018, ndërsa deri atëherë kishte qenë trajner i Eintracht Frankfurtit. Ai ka drejtuar edhe kombëtaren kroate në Kupën e Botës së vitit 2014, për t’u shkarkuar më vonë për shkak të rezultateve të dobëta.